Ka marrë një tjetër kthesë gjyqi ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Teksa pritej që brenda këtij muaji të merrej vendimi për dënimin ose jo të tij me burg, gjithçka do të kthehet në pikën zero. Ditën e djeshme ka qenë seanca e radhës për ish-Kryeprokurorin dhe ai ka preferuar të jetë vetë prezent këtë herë, nga ku dha deklaratën që ndryshoi krejt rrjedhën që kishte marrë procesi i tij. Vetë Llalla kërkoi gjatë fjalës së tij që të rihiqet kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe procesi të nisë nga e para. Ndonëse më parë ai nuk ishte paraqitur në asnjë seancë, duke kërkuar shpesh përjashtimin e trupës gjykuese përmes avokatit të tij, ish-prokurori deklaroi dje se tani e tutje procesin do ta ndjekë vetë deri në përfundim të tij.
“Gjykata do të dalë me një njoftim, çështjen do e ndjek deri në fund”, tha prerë Llalla para trupës gjykuese. Ndërkohë, nga kjo deklaratë e tij ka rënë poshtë edhe pretenca e dhënë nga SPAK, që kërkoi 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Në mars të këtij viti Prokuroria e Posaçme dha pretencën për Adriatik Llallën ku kërkoi që të dënohet me dy vite burg, si dhe për 5 vite të mos ketë të drejtë të jetë pjesë e institucioneve shtetërore. Në atë seancën gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar ndaj tij dhe nëse pranohej kërkesa e prokurorisë, Llalla mund të dënohej me 1.4 vite burg. Ndërsa dje pritej parashtrimi i tij për vendimet e trupës gjykuese dhe në seancën tjetër gjykata të jepte vendimin nëse Llalla do të dënohej me burg, gjobë apo me shërbim prove. Por, pikërisht ardhja e tij në seancë dhe më pas deklarata që bëri për tërheqjen e gjykimit të shkurtuar e ndryshoi këtë rrjedhë.
Fillimisht, zoti Llalla, u dyshua për të paktën katër vepra penale, që nga mosdeklarimi i pasurisë, te mosdeklarimi i të hollave në kufi, shpërdorimi i detyrës dhe pastrimi i parave. Por në përfundim të hetimeve tre prej këtyre akuzave duket se nuk u arrit të provohen dhe gjithçka u reduktua te mosdeklarimi i pasurisë. Tashmë, Ish-Prokurori i Përgjithshëm akuzohet për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë. Konkretisht, Llalla akuzohet për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a, i cili parashikon: “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.
Më 20 korrik 2018 prokurori vendosi në sekuestro preventive pasurinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Prokuroria në atë kohë bëri me dije se u bë sekuestrimi i një apartamenti banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës. Po ashtu në sekuestro janë vënë: tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë. Prokuroria ka dyshime se përmes këtyre pronave ka pasur pastrim parash. Kur dosja vajti në gjykatë pronat u hoqën nga sekuestro, më pas Apeli i riktheu po në sekuestro. Në raportimet e bëra nga trupa gjykuese, ajo që bie në sy është se Llalla ka blerë toka shumë lirë fillimisht dhe më pas ka deklaruar se i ka shitur shumë shtrenjtë.
Për shembull, në vitin 2007 Llalla ka deklaruar një ullishte në Bathore, blerë 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011 ai e rivlerëson pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja. Ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016 është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë ka pasur dhe për apartamentin në Durrës, tani i sekuestruar. Ai është blerë në mars të vitit 2012 në vlerën 2.2 milionë lekë të reja, ndërsa në prill po 2012, ai e ka rivlerësuar në rreth 5 milionë lekë të reja.
Diskutime rreth kësaj post