Drejtuesi i qarkut të Durrësit për Partinë Demokratike, Edi Paloka akuzoi në A2 ish-kryebashkiakun Vangjush Dakon që po bën fushatë të pistë dhe deklaroi se brenda dy ditësh do denoncojë një listë me blerës votash.
“Unë mendoj që këtë herë nuk do të jetë problem të nxjerrim njerëzit në votime sepse e shoh përditë në takimet që zhvilloj por dhe në reagimet që kanë njerëzit. Kjo frymë është në të gjitha takimet. Ka një mllef ndaj qeverisë dhe njerëzit mezor po presin të shfryjnë më 25 prill. Numri i votuesve këtë herë do të jetë shumë më i lartë.
Qarku i Durrësit në historinë e tij ka qenë i djathtë. PD në Durrës me sistemin mazhoritar ka fituar edhe 8 me 0. Historiku mbetet si një qark që ka mbetur gjithnjë një qark i djathtë. Ajo që ka ndryshuar me futjen e Rilindjes në lojë është pikërisht futja e krimit në zgjedhje, histori që tani i kemi më konkrete nga dosja 339. Në Durrës ndihet lidhja e bandave me pushtetarët aktuale dhe futja e krimit në marrjen e votave në Durrës është një fenomen që e njohin të gjithë qytetarët.
Ky është një problem akual, por mendojmë se kësaj here do ti japim zgjidhje. Ka një tërheqje të elementëve kriminelë lidhur me këto zgjedhje, por dhe forca e qytetarëve dhe vrulli që ka marrë kjo fushatë, që unë e kam krahasuar me një dallgë që rritet e rritet dhe në breg në fund fare kthehet ne tsunami. Fryma që po ndjej këto ditë, i ngjan një dallge të tillë.
Ne kemi shtabet tona të punës. Jemi ndarë sipas zonave. Çdo deputet mbulon një zonë dhe çdo ditë raportohet puna dhe problematikat. Kundërshtari nuk po bën një fushatë normale. Shumë rrallë i sheh të zhvillojnë takime me banorët sepse nuk janë të mirëpritur.
Më tepër janë evidentuar të dalin pas orës policore, kryesisht drejtuesit e fushatës socialiste, Ardian Çela dhe Vangjush Dako, i cili rri në hije dhe vazhdon vepron në hije, me punët e tyre të pista sigurisht. Që nga fakti që dalin pas orës policore, është e qartë se cilat janë punët që mund të bëhën pas asaj ore. Dalin natën, kanë një piramidë sekserësh dhe blerësish votash që shumë shpejt do i denoncoj me emra. Ka një piramidë të tërë, të cilën brenda dy ditësh do ta kem në dorë, nga vetë socialistët. Do ma sjellin vetë ato. Do ta bëj publike këtë listë dhe do ta dërgoj te organet e drejtësisë.” – tha Paloka.
Diskutime rreth kësaj post