Në kuadër të Muajit të Poezisë, Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim me shoqatën kulturore “Çajupi” organizoi aktivitetin përkujtimor “Çajupi në 155-vjetorin e lindjes”. Poeti, publicisti dhe dramaturgu Andon Zako Çajupi, në më shumë se një shekull e gjysmë me krijimtarinë e tij letrare, ka zënë një vend të veçantë në historinë e letërsisë shqiptare. Aktiviteti me rastin e 155-vjetorit të këtij poeti u hap nga drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, i cili referoi kumtesën me temë: “Pse duhet të lexojmë Çajupin”.
Ndër të tjera drejtori Koçi tha se në këtë kohë të modernitetit kur letërsia, kultura, tradita ecin me hapa të shpejtë, duket sikur poetët tanë të traditës janë të distancuar.
“Është pikërisht detyra jonë të bëjmë të mundur që këto figura të rëndësishme jo vetëm të mos harrohen por të lexohen edhe nga brezi i ri. Në kritikën shqiptare besoj se Çajupi, si një nga përfaqësuesit e një alter egoje të brendshme të lexuesve të vet (ku gjen jo vetëm motivet romantike, pastorale e lirike, por edhe frymën kritike, sarkazmën, humorin shpotitës ndaj veseve të shoqërisë), meriton një vëmendje të veçantë për t’u lexuar dhe shijuar si tekst, si autor dhe si përfaqësues i një epoke”, tha drejtori Dorian Koçi.
Kryetari i shoqatës atdhetare “Çajupi”, Andon Pango, referoi kumtesën me titull: “Zagoria -vatra dhe tharmi frymëzues i atdhedashurisë në krijimtarinë e Çajupit”. Pango e filloi kumtesën, duke thënë se veprat që ka lënë Çajupi janë si një thesar, që vetëm shkëlqejnë me kalimin e viteve. Dr. Ermir Nika, pedagog dhe studiues letërsie referoi mbi temën “Fryma kombëtare në krijimtarinë e Çajupit”. Sipas tij, në këtë 155 -vjetor të lindjes së tij përsëri Çajupi i mbledh të gjithëve bashkë.
“Na mbledh për të na kujtuar që ne pikëtakohemi në një koordinatë shumë të rëndësishme atë të Zagorisë. Ishte një karakter i paepur, një personalitet që nuk dorëzohej kollaj dhe përfaqëson një ndër mendjet më të emancipuara të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shek. XX. Çajupi nuk mbeti vetëm romanik, ai nuk mbeti vetëm klasicist ai solli realizmin në letërsinë shqipe, solli natyrën, solli njeriun, ai vizatoi Shqipërinë e vërtetë”, përfundoi ai.
Spiro Nika specialist pranë MHK, në fjalën e tij e vuri theksin tek gjithë ndikimi që kishte ambienti ku lindi dhe u rrit Çajupi, si shtëpia, shkollat, natyra, kultura në talentin dhe veprën e tij. Andon Zako Çajupi lindi më 27 mars 1866 në Sheper dhe u nda nga jeta më 11 korrik 1930, Kajro, Egjipt.
Diskutime rreth kësaj post