Thellohen divergjencat mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Vendimi për të dalë me dy lista të ndara ishte sinjali i parë i krisjes, ndërsa të enjten u tregua fare qartë se ndasitë mes dy partive që kanë rëndë dakord të bashkëqeverisin janë të mëdha. Kohët e fundit janë bërë shumë sondazhe dhe LSI del në pikiatë. Kjo parti mund të katandiset në 2-3 mandate dhe si duket PD e ka nuhatur se mund të kthehet në barrë për të në luftën për qeverisje. Megjithatë sipas burimeve, ka qenë PD ajo e cila nuk e ka ftuar LSI. Një burim bëri me dije se LSI priste që të çelej bashkë fushata, por Basha nuk e çoi fare ndërmend një gjë të tillë.
Ajo që e konfirmon këtë është se LSI nuk bëri asnjë aktivitet më 25 prill, ndryshe nga partitë e madha. Sipas informacioneve, Kryemadhi priste një ftesë nga Basha dhe të fliste në podium për të treguar se pavarësisht listave të ndara ata janë bashkë, por kjo ftesë nuk shkoi kurrë. Një gjë e tillë bëri që LSI të mos bënte asnjë prezantim në çeljen e fushatës. Ka qenë vetë Kryemadhi ajo e cila e ka konfirmuar një gjë të tillë të enjten mbrëma në një emision televiziv. Ajo la të nënkuptohet qartë se Basha nuk e ka ftuar.
“Kjo nuk është pyetje për mua. Kur kam bërë Konventën time kombëtare nuk e kam ftuar Bashën. Sot ai ka shpallur kandidatët e tij. Unë kam dy muaj që kam shpallur kandidatët nëpër zona”, tha ajo.
Po ashtu ajo nuk ka kursyer dhe thumbat ndaj liderit demokrat. “Unë nuk ndërhyj te PD-ja, të bëjë Basha çfarë të dojë. Ju pyesni çifutin që i bën fushatën”, tha ajo. Kryemadhi e ka sulmuar Bashën edhe për paktin e 17 majit. Ajo tha se falë asaj marrëveshje Rama është sot në pushtet. Pra zonja Kryemadhi akuzon Bashën se i shiti pushtetin Ramës.
“Kjo është e vërtetë Rama i ka hedhur sirën burrave. Ai nuk do ishte sot në pushtet. Në 2013-ën erdhi me Ilir Metën dhe në 2017-ën me Lulzim Bashën dhe mos e harroni këtë”, tha Kryemadhi.
Në intervistë Kryemadhi dukej qartë që ishte e palumtur që mbeti jashtë aktivitetit të PD, ndërsa dje ishte sekretari i PD, Gazment Bardhi ai që konfirmoi se nuk kishte fare ftesë për LSI. Në një intervistë ai deklaroi se aktiviteti kishte si qëllim prezantimin e kandidatëve të PD dhe aleatëve të saj tradicionalë, duke i dhënë goditje të fortë LSI.
Të gjitha sondazhet tregojnë se LSI humbet vota dhe kjo është një ndër arsyet se përse kreu demokrat nuk e do aleancën me këtë parti. Madje, sondazhet tregojnë se votat e LSI janë duke shkuar te PD. Demokratët kanë rritje në të gjitha qarqet dhe PS nuk lëviz nga pozicion, ndërsa LSI ka rënie drastike, të gjitha votat e saj duket se i merr PD. Nëse ecim sipas sondazheve ku LSI mund të marrë rreth 6-7 për qind të votave, atëherë me shumë gjasë ajo nuk merr më shumë se 2-3 mandate në të gjithë vendin. Për të qenë më të saktë po i marrim me radhë. Në Berat një parti duhet të marrë 14 për qind të votave që të marrë mandat deputeti, LSI nuk e arrin këtë kuotë. Pra nuk merr dot mandat.
Në Dibër nevojiten 20 për qind të votave, nuk ka asnjë shans ta kapë kuotën. Në Durrës nevojiten mbi 7 për qind të votave. Këtu LSI lufton për një mandat, por nuk e ka të sigurt. Në Elbasan, nevojiten 7.1 për qind të votave, por duke qenë se kemi në lojë dhe PDIU përfaqësuesit e së cilës janë me PS, LSI nuk merr dot mandat. Në Fier nevojiten 14 për qind të votave dhe LSI nuk merr dot mandat. Në Gjirokastër nevojiten 25 për qind e votave, nuk merr mandat. Në Korçë nevojiten 9 për qind të votave, nuk merr mandat. Në Kukës nevojiten 33 për qind të votave, nuk merr mandat. Në Lezhë nevojiten 14 për qind të votave, nuk merr mandat. Në Shkodër nevojiten 9 për qind e votave, nuk merr mandat. Në Tiranë, nevojiten 3 për qind e votave dhe mund të marrë 2 mandate. Në Vlorë nevojiten 8.3 për qind të votave, nuk merr mandat. Pra LSI në rastin më të mirë mund të marrë 3 mandate, pasi lufton në Durrës, ndërsa në rastin më të keq mund të marrë vetëm 2 mandate në Tiranë dhe në asnjë qark tjetër, gjithmonë sipas sondazheve.
Diskutime rreth kësaj post