Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani zhvilloi ditën e djeshme një takim pune me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca. Gjatë takimit me ambasadorin Soreca, kreu i ILD-së Metani bëri një prezantim të punës 13 mujore të zyrës së Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, nga ku përmendi sfidat, arritjet dhe nevojat për përmbushjen e misionit në ndëshkimin e paligjshmërive në sistem. Po ashtu ai inkurajoi standardet më të mira të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndër të tjera, Metani u shpreh se të gjitha institucionet duhet që të bashkëpunojnë për të pasur rezultate sa më të mira sa i përket drejtësisë së re.
“Përmbushja e pritshmërive të publikut për drejtësinë e re duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e të gjitha institucioneve”, tha Metani.
Nga ana tjetër, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca e përgëzoi Inspektorin e Lartë Metani për punën e bërë gjatë vitit të parë të punës në krye të këtij institucioni, si dhe komunikimin e mirë me publikun. Ambasadori Soreca garantoi se Bashkimi Europian do të vazhdojë të sigurojë asistencë teknike për zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të rritur më tej efikasitetin e saj. Këtë deklaratë ambasadori Soreca e bëri përmes një postimi në Twitter, pas takimit që zhvilloi me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani.
“I lumtur që u takova sërish me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani në ambientet e tij të reja. E përgëzova për vitin e parë të punës, përfshirë edhe komunikimin e mirë me publikun. Bashkimi Europian do të vazhdojë të sigurojë asistencë teknike për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë për të rritur më tej efikasitetin e tij”, tha ndër të tjera ambasadori i BE, Luigi Soreca.
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka qenë deri tashmë një institucion i suksesshëm në vetëm kaq pak kohë funksionaliteti. Vetëm në një vit, përmes denoncimeve të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë janë penalizuar për shkelje të rënda disa gjyqtarë ku ndër ta gjyqtarja Enkeleida Hoxha, Markelian Kuqo dhe Shkëlqim Miri.
Diskutime rreth kësaj post