Kreu demokrat, Lulzim Basha zhvilloi ditën e djeshme një takim me qytetarët dhe të rinj në njësinë nr.8 në Tiranë ku u shpreh se në këto 30 ditë fushatë nuk do të kursejë asgjë. Disa nga problematikat kryesore të qytetarëve ishin rënia e konsumit, largimi i njerëzve, pamundësia ekonomike dhe problemet e ish-pronarëve. Kreu i PD u shpreh se beteja ka filluar teksa u zotua se do të sjellë ndryshim te bizneset e vogla dhe cilësia e arsimit në vend. Ai tha se nga ky ndryshim të rinjtë do të kenë mundësi zhvillimi në universitetet shqiptare, por me një cilësi europiane. Sipas tij gjithashtu do të ketë edhe programe shkëmbimi me universitete europiane ku të rinjtë do të kenë mundësi që të mësojnë aty dhe të krijojnë mundësi për praktika punësimi.
“Kjo është një betejë që do ta përcaktojë rinia shqiptare, siç ka përcaktuar të gjitha ndryshimet e mëdha. Kjo është betejë për ndryshim, nuk është thjesht betejë për zëvendësim, është betejë për ndryshim. Nga ky ndryshim do të varet rruga Europiane e Shqipërisë. Pra nga ky ndryshim do të varet që të rinjtë shqiptarë të kenë mundësi europiane për arsimim, që do të thotë universitete në Shqipëri me cilësi europiane, do të thotë edhe programe shkëmbimi ku më të mirët të kenë mundësi të shkojnë në universitete europiane të mësojnë aty, të krijojnë lidhje aty, të krijojnë mundësi për praktika pune”, tha kryedemokrati.
Ai u shpreh se hapi përfundimtar për të qenë në rrugën e integrimit është një qeveri, e cila mendon për qytetarët e saj. Basha tha se misioni kryesor i qeverisë është punësimi dhe arsimi cilësor që i lehtëson më shumë gjërat. Ai u shpreh se mesazhi kryesor është se asnjë i ri nuk do të shohë më emigracionin si zgjidhje për jetën e tij. Sipas tij Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të akomoduar të gjithë të rinjtë dhe t’i bëjë krenarë ata. “
“E vetmja gjë që keni nevojë për të hedhur këtë hap përfundimtar për të qenë si një europian është një qeveri që mendon për ju dhe ua bën më të lehtë, më të mundur arsimimin cilësor dhe punësimin. Dhe ky është misioni kryesor i qeverisë që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Mesazhi kryesor që kam për ju dhe që dua ta shpërndajmë kudo është që asnjë i ri nuk do të mbetet mënjanë, asnjë i ri nuk do të shohë më largimin si shpresa e vetme se Shqipëria i ka mundësitë e jashtëzakonshme t’ju akomodojë, t’ju bëjë krenarë siç e bëni ju Shqipërinë krenare”, u shpreh Basha.
Diskutime rreth kësaj post