Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje për herë të parë për mesazhet e ambasadores Yuri Kim sa i takon Tom Doshit në lista. Ambasadorja kërkoi që PS të mbajë qëndrim kundër tij, ndërsa dje Rama foli në studion e “Opinion”. Ai tha se nuk e ka aleat Tom Doshin, ndërsa deklaroi se ata që duhet të ishin “non grata” janë Meta e Berisha.
“Unë dhe ne kemi një target më të gjerë sesa thjesht individi për të cilin flasim. Ne duhet të merremi me Saliun që para të cilit Tom Doshi është engjëll. Të merremi me Ilirin që para tij Tom Doshi është engjëll. Të merremi me Monikën që para saj ai është engjëll. Sa i takon Tom Doshit, unë nuk kam asnjë dallim nga qëndrimi i SHBA. Në raport me ta, ky është engjëll. Nëse Tom Doshi është përcaktuar nga SHBA për korrupsion domethënës unë nuk kam arsye ta vë në dyshim përcaktimin e tyre. Absolutisht dhe për këtë as jemi aleatë dhe as do jemi aleatë. Që të jemi të qartë. Por nëse për Tom Doshin korrupsioni ka sjellë qëndrimin e SHBA, e kuptoj se pse SHBA nuk mund të mbajnë të njëjtin qëndrim për Saliun, Ilir e Monikën. Unë nuk kam asnjë lidhje me ata dhe asnjë lidhje jo me korrupsionin domethënës, por me asnjë lloj korrupsioni. Unë e mirëkuptoj ambasadoren që nuk i rreshton dot dhe ata se njëri është President dhe tjetra gruaja e presidentit. Ky është qëndrimi im”, – tha ai.
Sipas Ramës, Meta, Berisha e Kryemadhi janë më shumë kërcënim për vendin se Tom Doshi.
“PD natyrshëm kërkon me zë të lartë që Doshi të hiqet nga gara sepse e ka problem atje. Ndërkohë që unë kam problem Saliun, Ilirin dhe Monikën. Kam problem kërcënimin që i vjen vendit nga ajo shportë karavidhesh. Unë nuk u heq presje atyre që thotë ambasadorja”, – tha ai.
Mbi 20 emra në prokurori
Gazeta zbuloi pak ditë më parë se janë mbi 12 kandidatë që do të skanohen nga njësia e dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme nëse janë apo jo subjekt të ligjit të dekriminalizimit, ndërkohë që ka mësuar se sot që flasim numri i emrave që kanë përfunduar për verifikim tek institucioni i akuzës është mbi 20. Kështu, burime nga prokuroria bënë me dije se përveç 12 emrave që ka çuar pak ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, listës për të kaluar në sitë kandidatët për deputetë që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit i janë bashkuar edhe disa të tjerë.
Sipas informacioneve, mësohet se ankesat apo kërkesat që ndodhen në tryezën e njësisë së dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, nuk janë dorëzuar vetëm nga KQZ, por edhe nga vetë partitë politike, për emra në listat e kundërshtarëve. Po ashtu, verifikim për kandidatë të caktuar kanë kërkuar edhe individë. Kjo do të thotë se partitë politike kanë dosje me emra të caktuar kandidatësh që ndodhen në listat për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, për të cilët kërkojnë hetim të thelluar dhe në finale përjashtimin e tyre nga politika, gjithmonë nëse do të zgjidhen deputetë dhe nëse do të rezultojnë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Pra, duket se partitë politike po veprojnë me kundërshtarët e tyre njësoj siç ndodhi me disa nga kryebashkiakët socialistë të dalë nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit të vitit 2019, ku si pasojë e denoncimit të Partisë Demokratike në media dhe jo vetëm, prokuroria dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Agim Kajmakut që përfaqësonte Bashkinë e Vorës dhe Valdrin Pjetrit që përfaqësonte Bashkinë e Shkodrës, iu hoqën mandatet, pasi pas hetimeve nga institucioni i akuzës, dolën se ishin subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Kështu që, e gjitha kjo tregon se Prokuroria e Përgjithshme nuk do të marrë indicie vetëm nga KQZ, por edhe nga partitë politike dhe individë për të nisur hetime për kandidatët për deputetë. Ndërkohë të njëjtët burime nga prokuroria i pohuan gazetës se për kandidatët për deputetë që kanë jetuar jashtë, do të bashkëpunohet fort me institucionet homologe siç është Interpol, ku emra të caktuar dhe për të cilët ka dyshime të qenësishme, do të thirren për t’iu kërkuar shenjat e gishtave.
Diskutime rreth kësaj post