Partia Demokratike ka çelur dje fushatën elektorale sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Kjo fushatë u hap nga kandidatja e PD për Qarkun e Elbasanit, Flutura Açka. Gjatë fjalës së saj, Açka shprehu sigurinë se Partia Demokratike do të sjellë ndryshimin që i duhet vendit, duke theksuar se demokratët do të jenë ata që do të ndërtojnë demokracinë.
Sipas saj, projektet e PD-së do të mundësojnë rikthimin e të larguarve në Shqipëri, ndërsa shtoi se qytetarët shqiptarë ndodhen tashmë mes dy alternativave: të ndreqin demokracinë, ose të shkojnë drejt diktaturës.
“Nuk mbahem dot, nis më merret goja kur flas për gjëra të dashura dhe një nga gjërat e dashura është fakti që jam këtu sot. Mjekë, inxhinierë, profesionistë ikën sepse nuk kishin mundësi. Do t’ia dalim t’i kthejmë, vetëm duke ndrequr demokracinë. Ose të ndreqim demokracinë tonë, ose të shkojmë në diktaturë. Të fillojmë ta ndreqim që sonte demokracinë. Do të ndjej turp të jem e pasur në një vend të varfër, besoj se të tillë do të ndihen edhe kolegët e mi. 29 vjet më pas, në të njëjtin front, si në 1990. Ëndrra e pakryer e tim biri për ta parë Shqipërinë në Europë”, – deklaroi shkrimtarja Flutura Açka.
Nga ana tjetër, në një prononcim nga sheshi “Nënë Tereza”, kandidatja për deputete e Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku u shpreh se shqiptarët presin me padurim 25 prillin. Sipas Tabakut, qytetarët janë të zhgënjyer nga qeveria dhe shtoi se PD do të mbajë çdo premtim që ka dhënë dhe do të japë në këtë fushatë elektorale.
“Situata është që qytetarët kanë padurim për 25 prillin dhe për t’iu bashkuar PD. Ne do të fokusohemi në programin që kemi sjellë dhe në ekipin tonë. Ne 25 prillin e konsiderojmë si një rrugëtim të ri për qytetarët dhe me një qeveri normale që merret me hallet e qytetarët. PD vjen me çdo sektor të analizuar në detaje dhe se çfarë do të sjellë për çdo fushë. Ajo që është më e rëndësishme është se ekonomia vjen me një faturë reale. Ne do të sjellim një qeverisje ndryshe dhe normalitet. Çdo gjë që kemi premtuar do ta realizojmë. E kuptojmë se shqiptarët janë të zhgënjyer nga kjo qeverisje. Ne jemi të bindur në fitore, dhe këtë fitore do të prijë Tirana me 20 deputetë dhe në gjithë Shqipërinë. Ne do të tejkalojmë të gjitha objektivat që kemi vënë në çdo qark. Unë dua që t’i ftoj qytetarët që ta ndjekin aktivitetin e PD-së dhe të dëgjojnë zgjidhjet tona reale dhe të na bashkohen për 25 prillin. Sepse pas 25 prillit do të vijë një qeveri që do të punojë për shqiptarët”, – nënvizoi Tabaku.
Diskutime rreth kësaj post