Avokati Spartak Ngjela ka paralajmëruar se falë ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës të korruptuarit në politikë do të marrin ndëshkimin e merituar. Përmes një postimi në rrjetet sociale, avokati ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Paris dhe Ankara, teksa ka folur edhe për ndryshimin që pritet të sjellë politika e Joe Biden. Sipas avokatit, Biden do të ndihmojë në luftën anti korrupsion dhe kjo i ka trembur të gjithë.
“Atmosfera politike tregon që të gjithë janë të shqetësuar nga ardhja e Joe Biden-it si president i Shteteve të Bashkuara. Kjo është thembra e Akilit; sepse shumë është trembur edhe korrupsioni i lartë shtetëror në Tiranë, në një kohë që shqiptarët po qetësohen në këto momente, se e shohin që luftën antikorrupsion në Shqipëri po e drejton ambasadorja amerikane Yuri Kim. Dhe kjo grua e madhe tani ka hyrë në historinë progresive të Shqipërisë, prandaj jemi të bindur se forca e saj e vërtetë, ende nuk është ushtruar në shpëtimin e Shqipërisë”, – tha Ngjela.
Ai foli për ndikimin e politikës amerikane në Shqipëri teksa u ndal edhe tek influenca e presidentit Joe Biden. Ngjela u shpreh se përderisa Biden ka ndikim edhe mbi gjendjen ekonomike të Rusisë, nuk mund të vendosen pritshmëritë tek Beogradi e Moska.
Sipas tij, Rama bën mirë të jetë me politikën amerikane, jo si ish-kryeministri Berisha i cili shpreh antiamerikanizëm kundrejt reformës në drejtësi.
“Kurse, presidenti i ri i Amerikës, Joe Biden, ndërkohë ua ka bërë të qartë edhe serbëve, edhe rusëve që “Amerika do ta zgjidhë me forcë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”. Ndërsa, në të njëjtën kohë, për carin rus Putin, Biden-i tha: “ai është një vrasës”. Ndërkohë gjendja ekonomike në Rusi po shkon drejt mjerimit, kurse budallenjtë tanë të korrupsionit të lartë shtetëror e kanë shpresën te Beogradi dhe Moska. Po Rama, me kë është në këtë kohë? Është mirë të jetë me politikën amerikane, sepse thënia e Bashës dhe Berishës kundër reformës në drejtësi, në Uashington është marrë si antiamerikanizëm”, – u shpreh Ngjela.
Ngjela flet për të korruptuarit “e frikësuar”
Avokat Spartak Ngjela deklaroi se të gjithë çështjet politike që po vijnë rrotull Shqipërisë në këto momente po tregojnë frikën e madhe të korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë. Ai u shpreh se krimi i organizuar, fshehja e pronave të korruptuara dhe pastrimi i parave janë afër fundit dhe Shqipëria është në prag të një fitoreje historike. Sipas tij shqiptarët sot i kanë sytë tek ambasadorja Yuri Kim.
“Këto janë çështjet politike që rrotullohen qark Shqipërisë: kryeministri i saj që po kërkon të hyjë në negociata në favor të pajtimit të palëve në konflikt, në lidhje me çështjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Letra pajtuese e Ramës kundrejt Albin Kurtit; kërkesa e Ramës ndaj Erdoganit për zgjedhjet në Francë; e këtu bashkë: edhe frika e madhe që po tregon korrupsioni i lartë shtetëror në Tiranë; por edhe krimi i organizuar e bishta të tjerë të lidhur me ta: vëllezër, motra, shokë e gazetarë, të cilët janë marrë me fshehjen e pronave të korruptuarve, me pastrimin e parasë të fituar nga ky korrupsion i lartë shtetëror dhe krimi i organizuar. Të gjithë janë afër fundit të tyre, por edhe shqiptarët e Shqipëria janë mu në prag të fitores historike. Dhe të gjithë shqiptarët sot i kanë sytë tek ambasadorja Yuri Kim”, – u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post