Ish-deputeti dhe kandidati i PD në Tiranë Flamur Noka është shprehur se PD synon më së pakti 20 mandate në Tiranë.
“Maxhoranca maksimumin e saj që ka parashtruar në fillimin e fushatës ka qenë 18. Hera e parë që ka një synim kaq të ulët, sepse ata e dinë shumë mirë që janë në prag të një disfate. Askush më, qytetar i denjë i Tiranës nuk beson më tek rilindja. Rilindja është e dështuar, është një i vdekur i pakallur.
Numri që PD ka të sigurt në Tiranë, është numri 20. Të diskutosh për numra më poshtë 20 është si të luash me të paluajturën”, u shpreh ai.
Sa i përket renditjes së tij, i 14-ti në Tiranë, Noka deklaroi se nuk ka asnjë rëndësi numri apo renditja, por fitorja e së mirës mbi të keqen.
“Kam një investim jetësor në këtë forcë politike dhe për mua nuk ka qenë e rëndësishme as numri as vendi, e rëndësishme që të mbizotërojë e mira mbi të keqen. Nuk kam asnjë lidhje me hatërmbetjet. Për mua është një gjë thelbësore, fitorja e së mirës ndaj së keqes, fitorja e PD. Më i rëndësishëm se vendi është e rëndësishme të triumfohet mbi këtë të keqe që ka kapluar vendin.
Ka qenë një kërkesë e imja, në bashkëpunim me kryetarin e partisë sepse Tirana është fushëbeteja kryesore e opozitës. Në këtë aspekt roli im dhe kontributi do ishte shumë më domethënës. Edi Rama e ka vrarë shpresën në këtë vend. Është PD dhe opozita që po ngjall shpresën. S’mund të flasë për shpresën ai që përzuri 500 mijë shqiptarë. Do të thotë që ti po e përdhunon këtë popull. Ai që mund të flasë për shpresën është Lulzim Basha dhe opozita”, deklaroi Noka.
Diskutime rreth kësaj post