Përplasjet e ndodhura në vend midis përfaqësuesve të partive politike dhe fjalori i ashpër i përdorur po karakterizojnë periudhën e para fushatës zgjedhore. Përplasjet fizike ndërmjet përfaqësuesve të subjekteve politike gjatë takimeve me simpatizantët e tyre kanë qenë kryefjala e ditëve të fundit.
Fillimisht ajo që bëri bujë ishte përplasja e presidentit Ilir Meta me policinë bashkiake për lirimin e zyrave të FRD, si edhe ajo midis militantëve të PS dhe PD në Elbasan.
Ndërsa dje disa persona kanë thyer xhamat e zyrave elektorale të dy forcave politike në qytetin e Fierit. Zyrat elektorale, iu përkasin Partisë Socialiste dhe asaj për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Dëmi është konstatuar rreth orës 03:00, në lagjen “1 Maj”. “Sot rreth orës Fier, në rrugën “Jani Bakalli” dhe pranë poliklinikës, nga ana e shërbimeve të Policisë së rendit, janë konstatuar të dëmtuara me gur dy xhama të zyrave elektorale të dy subjekteve politike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lidhur me këto ngjarje të ndodhura së fundmi në vend ka reaguar edhe kreu i Lëvizjes Demokratike Astrit Patozi. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ai u shpreh se Shqipëria nuk ka nevojë për luftë midis palëve politike dhe as për urrejtje. Ai theksoi se zgjedhjet e 25 prillit janë një garë dhe jo një luftë për tu vrarë me njëri-tjetrin.
Sipas Patozit e gjitha kjo sipas tij është diçka e rreme.
“Shqipëria nuk ka nevojë për luftërat e tyre false. Nuk ka nevojë për urrejtje, as për fanatizëm apo radikalizëm politik. Boll me këtë retorikë revolucionare, që të ngjeth mishtë, edhe pse të gjithë e dinë se është e rreme, thjesht sa për të kaluar 25 prillin. Zgjedhjet janë garë, sepse nuk po shkojmë në luftë për t’u vrarë me njëri-tjetrin”, – tha ai.
Sipas Patozit, vendi nuk ka nevojë për luftë midis palëve politike por ka nevojë për qetësi. Ai u shpreh se ata të cilët sot shihen duke u zënë, nga ana tjetër i sheh sipas tij në takime me njëri-tjetrin. Patozi vijoi më tej duke thënë se drejtuesit politik të gjithë këtë e bëjnë pasi afrohet data e zgjedhjeve.
“Shqipëria ka nevojë për qetësi, edhe nëse dashuria mund të mungojë përkohësisht. Por mbi të gjitha për logjikë dhe arsyetim, që vlen gjithmonë si reflektim për popujt e qytetëruar pas krizash të gjata. Aq më tepër, kur kemi parë jo rrallë se si puthen dhe flirtojnë pastaj pikërisht ata, të cilët kacafyten dhe qisin pushkë me fishekë manovre kundër shoshoqit, vetëm atëherë kur afrohet data e zgjedhjeve”, – shkruan Patozi.
Diskutime rreth kësaj post