Elbasani është kthyer për herë të dytë brenda pak ditëve në qendër të vëmendjes për incidente me prapavijë politike. Këtë herë protagonistë ishin kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi dhe biznesmeni i njohur Gjergj Luca.
Ky i fundit dhe kandidati demokrat për deputet janë përfshirë dje në një konflikt fizik, teksa ngjarja ka ndodhur në një lokal në zonën e Labinotit, ku Luca ushtron aktivitetin e tij, ndërsa Boçi ka shkuar për takim me banorët. Ka qenë vetë zoti Boçi, i cili ka folur pas sherrit fizik që ka pasur me biznesmeni, ndërkohë që është shfaqur me shenja dhune në qafë, ku ka thënë se Luca, i cili sipas tij, ishte i shoqëruar me tre persona të tjerë e ka kërcënuar me jetë.
Madje ai ka thënë më tej se përplasja e djeshme ishte agresion me motive politike, sakaq ka shtuar se ka bërë denoncimin për Lucën.
“Një agresion, sulm i Lucës. Nuk është as Zoti, nuk mund t’i them as me termin oligark, se këto janë plehrat e Ramës që ai i ndërsen kundër përfaqësuesve politik. Ky është një agresion me motive politike. Dilja nga një takim për të biseduar me disa përfaqësues për problemet e zonës. Në dalje ky zotëri, vjen dhe agreson me fjalë dhe më pas më afrohet dhe tenton goditjen, pastaj e agravon situatën deri në kërcënime për jetën. Përgjigjen këta njerëz do ta marrin në datën 25 prill me votën masive kundër këtij regjimi”, – deklaroi Boçi.
Nga ana tjetër, duke folur për mediat biznesmeni Gjergj Luca hedh poshtë pretendimet e kandidati demokrat dhe madje theksoi se ai është i dhunuari nga kjo ngjarje, ndërsa shtoi se zoti Boçi i ka grabitur edhe telefonin.
“E di kush është më e bukura se më ka grabitur edhe telefonin, më ka rënë telefoni në tokë dhe ma ka marrë. Edhe kamerieri dhe 2 njerëz që kanë qenë aty e kanë parë që e ka marrë dhe ka ikur me celular. Uroj që kjo të zbardhet, do të dalin kamerat e Karburantit. Ky është rrugaç dhe grabitës pasi më ka marrë edhe telefonin. Unë jam i dhunuari dhe ju e shihni. Kam shenjat”, – deklaroi Luca.
Ndërkohë po dje, një tjetër incident ka ndodhur në qytetin e Elbasanit. Behët fjalë për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Aurel Bylykbashi, i cili, pretendon se po kërcënohet nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Bylykbashi i tërhoqi vëmendje zoti Balla, pasi sipas tij, po e mbush kupën.
“Taulant! Prapë me mua ti? Por po vazhdove të më ngacmosh, sinqerisht nuk dua të bej protagonistin, atëherë do të zbres në fushë. Siç di unë! Dhe do të kem punë vetëm me ty! Me askënd tjetër! Mos kujto se i kam harruar ditët e burgut, që i bëra nga ty dhe vetëm nga ty”, – shkruan Bylykbashi.
Diskutime rreth kësaj post