Shqipëri-Angli mund të vihet në rrezik për luajtjen nga arsye sigurie. Gazeta “Panorama Sport” ka siguruar një letër konfidenciale që FSHF i ka dërguar së fundmi Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, si dhe duke vënë në dijeni Inspektoratin Urbanistik Vendor në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiakun Erion Veliaj si dhe kryeministrin Edi Rama.
Gazeta ka mësuar se në direktivat e dhëna nga UEFA kërkohet largimi i ambienteve tregtare rreth stadiumit.
LETRA – Nisur nga direktivat që ka dhënë UEFA për ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës, FSHF është vënë në lëvizje duke njoftuar dhe kërkuar nga IKMT zbrazjen e hapësirës rreth stadiumit “Air Albania”.
“Panorama Sport” publikon letrën që si më poshtë citohet: “Në ambientet komerciale të këtij impianti sportiv janë instaluar biznese dhe subjekte të ndryshme, të cilat operojnë në fusha të ndryshme, kryesisht shërbime bari-kafeterie.”
Paraprakisht, për ne si federatë është shumë e rëndësishme të theksojmë se prania e këtyre operatorëve i jep jetë dhe kontribuon jo vetëm në mirëqenien e bizneseve, por edhe në larmishmërinë e shërbimeve që ofron ky impiant gjigant.
Gjithsesi, me shqetësim kemi konstatuar se zgjerimi i pazakontë i bizneseve në perimetrin e stadiumit ‘Air Albania’, çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një problematikë që del përtej zhvillimit të një biznesi, e duke u kthyer në një element penalizues dhe bllokues për funksionin bazë të këtij impianti, organizimin e ndeshjeve të futbollit.
Operatorë të ndryshëm bar-kafe kanë avancuar me ngritjen e strukturave permanente prej hekuri dhe betoni në trotuaret e stadiumit, duke cenuar seriozisht standardet e sigurisë për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, por në fakt, elemente themelore sigurie për çdo organizim ndeshjeje të çdo natyre.
SIGURIA – Duke rikthyer në vëmendje se qëllimi i këtij investimi me vlerë miliona euro ka qenë dhe mbetet organizimi i ndeshjeve ndërkombëtare dhe kombëtare në një nivel tejet elitar, konfirmojmë se me prezencën e këtyre shtojcave që bllokojnë dhe pengojnë sigurinë e stadiumit, ndeshjet ndërkombëtare mund të jenë realisht në rrezik mosorganizimi. Kjo, duke nisur që nga ndeshja historike për të cilën po përgatitemi, Shqipëri-Angli, e planifikuar në 28 mars 2021.
UEFA – Gjithashtu, siç e dini, Tirana tashmë ka marrë besimin e UEFA-s për të zhvilluar finalen e parë të kompeticionit të Ligës së Konferencës, një organizim kompleks, multiinstitucional dhe ngjarje historike e papërsëritshme mbase, por sërish, mund të jenë këto elemente që mund ta cenojnë edhe zhvillimin e këtij eventi. Për këtë arsye, në bashkërendim dhe sipas rekomandimeve të UEFA-s, kërkojmë nga ana e institucioneve tuaja marrjen e të gjitha masave për lirimin e hapësirave nga strukturat permanente të operatorëve bar-kafe që bllokojnë rrugët e kalimit të tifozërive dhe cenojnë sigurinë bazë të kërkuar në një ndeshje”, shkruhet ndër të tjera në letrën që FSHF u ka drejtuar instancave shtetërore, së cilës i bashkëngjiten foto rreth impiantit me praninë e ambienteve tregtare.
Diskutime rreth kësaj post