Partia Demokratike do të ankimojë, vendimin e Krykomisionerit, Iliran Celibashi, i cili hoqi 68 emra nga lista e PD për 25 prillin.
Ish përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik që hartoi reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi thotë se vendimi është arbitrar dhe i jashtëligjshëm.
Sipas tij, Kodi Zgjedhor, nuk përcakton asnjë kufi ligjor se sa emra duhet të vendosë një parti në listën e saj. Ai argumenton se lista e koalicionit përfshin jo vetëm PD, por edhe partitë aleate.
“Vendimi i KQZ për të shkurtuar listat e opozitës dhe koalicionit opozitar është jo vetëm i paligjshëm, por edhe arbitrar. Ligji zgjedhor nuk përcakton maksimum, por vetëm minimum për kandidaturat në çdo qark.”-shprehet ai.
Për Partinë Demokratike një moment me rëndësi mbetet mënyra se si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kompozoi fletën e votimit.
Bylykbashi thotë se kur në janë të regjistruara vetëm 13 subjekte zgjedhore, një fletë votimi ku të jenë të shkruara emrat, është plotësisht e realizueshme.
“Nëse hapen listat kaq sa janë hapur, zgjedhësit duhet të kenë plotë të drejtën për të përzgjedhur kandidatin dhe jo ti fshehin kandidatët pas numrash. Partia Socialiste i ka mbushur radhët e saj me figura që vijnë dhe mbështeten nga bota e krimit.”-thotë ai.
Bylykbashi i cili ka hartuar këtë ligj, thotë se nuk mund të hiqen paralele mes dy partive. Madje PD i është drejtuar që në 15 mars, vetë prokurorisë për të verifikuar kandidatin e 8 në Durrës.
“PD dhe lista e opozitës është ballëhapur përpara ligjit të dekriminalizimit. Asnjë tentativë e Edi Ramës nuk mund të barazojë listat e opozitës me ato lista ku krimi mbizotëron. Lista e qarkut të Durrësit të Edi Ramës, është simboli se si krimi ka futur ushtarët e vet.”-shton ish deputeti.
Bylykbashi është deputeti kryesor i listës së PD në Durrës dhe sipas tij 25 prilli do të jetë dita kur qytetarët do t’i japin Ramës përgjigje për 8 vitet e qeverisjes.
Diskutime rreth kësaj post