Numri dy PS, Taulant Balla duke folur për incidentin e dhunshëm në të cilin është përfshirë presidenti, ka ngritur dyshime lidhur me shëndetin mendor të Ilir Metës.
“Ilir Meta e ka humbur qetësinë prej kohësh. Që nga ngjizja e koalicionit mes Berishës dhe Metës në korrik të vitit 2016, pra teksa bëhej gjithmonë e më e sigurt që Kuvendi do të arrinte të kishte një shumicë për votimin e reformës në drejtësi, dhe kjo falë SHBA, Ambasadës së tyre në Tiranë.
Unë mbaj mend që ka qenë një stërbetim i Ilir Metës në një nga sallat e konferencës së kryetarëve që “nuk dua t’ia di fare as për Donald Lu, as për SHBA”, dhe pastaj të gjithë si pulat atje erdhën dhe votuan me 140 vota reformën në drejtësi.
Janë tre faza të shndërrimit të Ilir Metës. E para humbi dashurinë me PS kur votuam reformën në drejtësi. Aty u prish koalicioni. Humbi qetësinë pasi u zgjodh president i Republikës, kur pa që edhe Lulzim Basha po punonte për të çuar për skrap SHPK-në e tij. Dhe e treta, e them si ish-mik i tij, më vjen keq por më duket se ka humbur edhe mendjen. Është e papranueshme që presidenti i Republikës të hakërrehet para mediave se do të varë prej veshësh sekretarin amerikan të Shtetit apo të përfaqësuesve të tjerë të aleatëve strategjike të Shqipërisë.
Janë hakërrimet e Ilir Metës, që ngrënë dyshime për shëndetin e tij mendor. Këto janë dyshime. Janë doktorët ata që e përcaktojnë. Është një dyshim i qenësishëm”. – tha ai për një emision në RTSH.
Diskutime rreth kësaj post