Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama ka kërkuar ndjesë në emër të forcës së tij politike, presidentit Ilir Meta, për largimin nga kuvendi dhe djegien e mandateve duke mos e dëgjuar atë.
Kjo është hera e parë që Luan Rama e ka cilësuar si të gabuar vendimin e opozitës për të lënë parlamentin.
E pyetur lidhur me këtë reagim, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se nuk e kishte dëgjuar ndjesën e deklaruar nga kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në Vlorë, Luan Rama, për diegien e mandateve. Ajo tha se nuk kishte komunikuar me të gjatë gjithë ditës për shkak të angazhimeve politike.
“Më morën edhe gazetarë në telefon… Thashë po mu bëka qejfi se qenka rikthyer dashuria e Ilir Metës me Luan Ramën dhe e paska nga të qënurit nga dashuria që kanë socialistët në qarkun e Vlorës për Luan Ramën dhe janë në një vrull të jashtëzakonshëm për ta mbështetur atë, dhe ndoshta edhe përjashtimi i Dritan Lelit nga PS-ja ka shkaktuar këtë situatë emocionale”, u shpreh Kryemadhi.
Teksa pranoi se do ta sqaronte këtë pjesë, kryetarja e LSI-së tha se “është më mirë që njerëzit të flasin”.
“Djegia e mandateve ishte një nga vendimet më të mira për të krijuar një qetësi te njerëzit për të parë që opozita nuk ishte palë dhe fasadë e Edi Ramës dhe Rilindjes”, theksoi Kryemadhi.
Ajo vijoi duke e analizuar veprimin e djegies së mandateve si “një vendim që e bëri opozitën të bëhej njësh me qytetarët”.
“S’jam e penduar për djegien e mandateve sepse kam kuptuar që djegia e mandateve i dha mundësinë opinionit publik që LSI s’është ajo që u kanë ofruar mediat dhe partitë e tjera, është krejt ndryshe nga çfarë të tjerët kanë parë mediatikisht”, vijoi më tej Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së tha gjithashtu se edhe vendimi për të mos-marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2019 nuk ishte i gabuar. Ajo shtoi se zgjedhjet lokale mbeten në diskutim për sa kohë nga Presidenti ka pasur një dekret që ato të zhvilloheshin në tetor.
Sipas saj tashmë dy vite më vonë edhe vetë kryetarët e bashkive “janë margjinalizuar nga pushteti i Ramës”.
Kryemadhi tha se zgjedhjet lokale janë certifikuar nga “ambasadorë të dalë në pension” që “nuk janë fare këtu” dhe të cilët “u bëjnë me gisht qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ajo për Euro News Albania.
Diskutime rreth kësaj post