Drejtuesi politik i PS i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla e ka quajtur përplasjen mes simpatizantëve të PD-PS një ditë më parë në Elbasan si antimiting të turpshme në kushtë feste.
Gjatë një takimi sot në Elbasan, Balla fajësoi Lulzim Bashën si organizator.
Teksa i konsideroi antipolitike dhe të pahijshme thirrjet e simpatizantëve të PD, drejtuesi politik i PS i bëri thirrje demokratëve të distancohen nga ngjarja e një dite me parë.
“Elbasanin e karakterizon gjithmonë mikpritja por ajo që Partia Demokratike ka në plan të organizojë kudo nëpër Shqipëri, se nuk është vetëm Elbasani por turpi i tyre ishte që organizuan atë anti-miting të turpshëm në kushtet e një feste. Pra, kur shkon diku për festë unë nuk di që duhet të shkosh me flamuj, të hypur nëpër makina dhe që pastaj të flasësh ti në emër të popullit. Festën dje e kishte populli i Elbasanit. Jo pa qëllim, ne anulluam çdo lloj aktiviteti politik sepse dje ishte një festë dhe në festë nuk bëhet politikë. Pastaj, nja 100 stereotipe të ngjashme me Ilir Metën apo me Sali Berishën, filluan jo vetëm thirrjet e karakterit politik por edhe thirrje me mungesë të theksuar të kulturës dhe shprehje kuptimplota të rrugaçërisë. Megjithatë, unë uroj që demokratët e thjeshtë dhe të ndershëm të Elbasanit, të distancohen nga ajo ngjarje.
Organizator ishte Basha. Ai ishte organizatori sepse të mbledhësh njerëz dhe t’i çosh kundër partisë tjetër është e papranueshme. Bëj takimin tënd, fol çfarë të duash ti, thirr si të duash ti por tjetri ka të drejtën e vet. Ne për të respektuar kushtet e Covid-it, unë nuk kisha ftuar as deputetët, ishim vetëm Kryeministri Rama, unë, Evis Kushi, ministrja, kryetari i bashkisë, kaq sepse aq lejon ligji. S’mund të mbledhim më shumë njerëz dhe gjithë të tjerët aty ishin njerëz që ishin pjesë rastësisht të festës. Ndërkohë, ato mbledhin rreth 100 njerëz me thirrje banale. Turp!”, – u shpreh Balla.
Kujtojmë se Ditën e Verës në qytetin e Elbasanit simpatizantët e PS-së dhe të PD-së u përleshën me njëri-tjetrin duke e kthyer këtë festë në një kaos. Mbështetësit të PD dhe PS u përleshën me njëri-tjetrin pas thirrjeve ‘Rama ik’ nga turma.
Kryeministri Rama i shoqëruar nga deputetë dhe drejtues vendor u ndodh në të njëjtën kohë me kreun e PD-së Lulzim Basha në Elbasan duke shkaktuar trazira mes simpatizantëve.
Diskutime rreth kësaj post