Grupe militantësh partiakë të qeverisë dhe të opozitës u përplasën sot fizikisht mes tyre në qytetin e Elbasanit, qendra tradicionale festive e Ditës së Verës.
Përkrahës të dy partive kryesore pritën me brohoritje fyese kryetarët socialist dhe demokrat, duke u përplasur edhe fizikisht me njëri tjetrin, pa ndonjë dëmtim shëndetësor midis tyre. Të gjithë pjesëmarrësit në të dy tubimet ishin në shkelje të hapur të kufizimeve të pandemisë, që ndalojnë rreptësisht tubimet, mos-distancimet fizike dhe mos-mbajtjen e maskave higjenike.
Por këto rregulla nuk i penguan dy politikanët kryesorë; Lulzim Basha i Partisë Demokratike dhe Edi Rama i Partisë Socialiste, që të vizitonin qytetin e Elbasanit pothuaj në të njëjtën orë dhe pak metra larg njëri nga tjetri, ndërsa grupet kundërshtare të militantëve shkëmbenin fyerje dhe goditje fizike.
Policia ndërhyri, duke shoqëruar disa nga personat protagonistë, dhe shpërndau tensionin mes njerëzve, ndërsa palët bënë fajtor njëra tjetrën për incidentin.
Fushata zgjedhore duhet të nisë ligjërisht më 25 mars, një muaj para datës së zgjedhjeve, por veprimtaritë elektorale kanë nisur shumë javë më herët dhe të dy formacionet konkurrente po organizojnë tubime me militatnët e tyre, pa u shqetësuar për gjobat e inspektorëve të shëndetësisë.
Diskutime rreth kësaj post