Një divorc ka gjithmonë efekte kolaterale. Në rastin kur Reali i Madridit dhe Kristiano Ronaldo u ndanë në qershorin e vitit 2018, pasojat ishin fatale për të dyja palët. Reali i Madridit u dha fund sukseseve në Europë, 3 Champions radhazi, ndërsa portugezi nuk triumfoi dot më në garën për “Topin e Artë”. Diçka e tillë shpjegohet edhe në golat dhe titujt e fituar nga ekipi madrilen gjatë kësaj kohe. “Divorci” i ka kushtuar Kristianos dhe Realit të Madridit 2 Champions. Në 9 sezonet që qëndroi në “Bernabeu” ai u eliminua vetëm një herë në fazën e 1/ 8-ave dhe bëhet fjalë pikërisht për sezonin kur u transferua (2009-2010).
Në 8 vitet pasardhëse ka qenë gjithmonë në gjysmëfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm kontinental. Në tri vitet e tij në Torino, më e shumta ku ka arritur janë çerekfinalet në sezonin e parë (2018- 2019). Ajaksi e eliminoi atëherë ashtu si edhe Realin, por kundërshtarët e radhës kanë qenë Lioni dhe Porto. Asnjë prej tyre nuk konsiderohet si skuadër e madhe apo e linjës së parë në Europë. Na ana tjetër, Reali pa Kristianon nuk ka pasur shumë sukses. Ajaksi e eliminoi në vitin e parë dhe Siti vitin e kaluar. Këtë sezon ka fituar duelin e parë me Atalantën, por fundi nuk dihet.
GOLAT – Kristiano ishte një makineri golash për Realin e Madridit. Portugezi shënoi 450 gola në 438 ndeshje, pra mesatarisht 1.027 gola për ndeshje. Vetëm në vitin e debutimit të tij nuk arriti dot 40 gola (shënoi 33), sepse luajti vetëm 35 ndeshje. Kristiano shënonte një gol çdo 84 minuta. Te Juventusi ecuria e tij zbriti në 0.76 gola për ndeshje (92 në 121 ndeshje), pra 1 gol çdo 113 minuta. Si lojtar i Realit ishte golashënues në 12 kompeticione, ndërsa me Juventusin nuk ka qenë golashënues në asnjë kompeticion. Edhe Reali shënonte shumë gola me Kristiano Ronaldon.
Në sezonin 2010-2011 u shënuan 174 gola në 58 ndeshje, pra afro 3 gola për ndeshje. Me largimin e tij, Reali nuk shënon dot as 2 gola për ndeshje. Këtë sezon ka shënuar 1.66 gola (58 në 35 ndeshje). Kjo është ecuria më negative që nga sezoni 1999-2000. Madrilenët kanë shënuar të paktën tre ose më shumë gola në thuajse gjysmën e ndeshjeve (252 ndeshje nga 519). Në 72 ndeshje u shënuan të paktën 5 gola, ndërsa pa të në skuadër vetëm në 30% të ndeshjeve mund të shënohen të paktën tre gola, ndërsa 5 herë ka shënuar vetëm në 4 ndeshje.
Diskutime rreth kësaj post