Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar nga detyra më 13 janar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Shkëlqim Mustafa, ndërsa ditën e djeshme është zbardhur vendimi lidhur me arsyet e shkarkimit të gjyqtarit. Sipas “BIRN”, Komisioni konstatoi dyshime për veprime fiktive në shitjen e një apartamenti me qëllim justifikimin e pasurive të tjera, si dhe u konstatuan fshehje, mosdeklarime dhe mungesë burimesh financiare për krijimin e pronave që zotëron.
Në mbledhjen e zhvilluar Komisioni ngriti dyshime se gjyqtari Mustafa ka kryer veprime fiktive në shitjen dhe blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 88.8 m2 në Gjirokastër me qëllim justifikimin e pasurive të krijuara më vonë. Si burim për blerjen e këtij apartamenti në vitin 2006 nga vjehrri, kundrejt shumës 3.7 milionë lekë, Mustafa ka deklaruar të ardhurat e krijuara nga shitja e një trualli dhe kredi në vlerën 3 milionë lekë. Nga ana tjetër, gjyqtari ka sqaruar se këtë apartament e ka shitur në gusht të vitit 2010 në vlerën 60 mijë euro dhe ka paraqitur në Komision një dokument nga ASHK-ja Gjirokastër, ku konfirmohet pagesa e detyrimit financiar në vlerën 441 mijë lekë.
Mustafa ka shpjeguar se çmimi i tjetërsimit nga ana e tij në vitin 2010 është bazuar në parimet e përgjithshme të vlerësimit të tregut që aplikoheshin në zonën përkatëse dhe se prona është tjetërsuar së bashku me mobilimin. Por, Komisioni doli në përfundime se çmimi i shitjes së këtij apartamenti është më i lartë se çmimi me të cilën është blerë. Sipas trupit gjykues, gjyqtari Mustafa gjendet në kushtet e deklarimit të rremë lidhur me këtë pasuri.
“Në përfundim, lidhur me këtë pasuri, trupi gjykues i Komisionit krijon bindjen se çmimi i shitjes së këtij apartamenti dy herë më i lartë se ai i blerjes së tij dhe për më tepër me sende e orendi të kahershme, të cilat logjikisht duhet të ishin amortizuar dhe pa asnjë investim të kryer ndër vite, është përtej logjikës ekonomike”, konkludon Komisioni dhe ngre dyshime për veprime fiktive të gjyqtarit Mustafa në blerjen dhe shitjen e kësaj prone me qëllim justifikimin e burimit për krijimin e pasurive të tjera. Pavarësisht pretendimeve të Mustafës, trupi gjykues i KPK arrin në përfundimin se ai e ka fshehur këtë pasuri në deklaratën veting.
Diskutime rreth kësaj post