Komisioneri për zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Tiranës ku ka folur për negociatat dhe integrimin Europian të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Varhelyi ka kujtuar një fjalë të urtë hebraike që thotë: Premto pak e bëj shumë. Sipas tij, shumë shpesh BE ka dështuar të përgjigjet pozitivisht me një zë të bashkuar kur partnerët kanë kryer zotimet e reformave.
Ai e nis nga Shqipëria për të cilën thotë se i ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe se Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes saj dhe BE duhet të mbahet brenda presidencës portugeze që ka filluar tashmë që në janar, dhe përfundon brenda 6 mujorit në qershor.
Deklarata e Varhelyi:
‘Reformat shpesh kanë qenë të ngadalta, duke bërë që disa prej Shteteve Anëtare të BE-së të vënë në dyshim fuqinë transformuese të procesit të zgjerimit dhe të mos bien dakord për avancimin e tij. Nga ana tjetër, shumë shpesh BE ka dështuar të përgjigjet pozitivisht me një zë të bashkuar kur partnerët kanë kryer zotimet e reformave. Ju mund të njihni një fjalë të urtë (hebraike) që thotë: Premtoni pak dhe bëni shumë. Ndërsa më njihni, unë jam më pak njeri me fjalë dhe më shumë njeri i veprimit. Kjo metodologji e re është reflektuar tashmë në draft kornizat negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Shtetet Anëtare nuk kanë arritur ende një marrëveshje mbi to dhe diskutimet po vazhdojnë në Këshill. Ne po i mbështesim ato përpjekje; Shpresoj që konferencat e para ndërqeveritare të mund të thirren sa më shpejt të jetë e mundur nën Presidencën Portugeze. Komisioni konsideron se të gjitha kushtet për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare mbi negociatat e pranimit në BE me Shqipërinë janë përmbushur tani. Kjo falë reformave të rëndësishme në ligjin zgjedhor, sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë, duke përfshirë edhe vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat Komisioni po i monitoron nga afër.’- ka deklaruar Varhelyi.
Diskutime rreth kësaj post