Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është me një koleksion të pasur veprash. Në këtë muze po vazhdon puna me restaurimin e veprave, gjë e cila bëhet me dije nga ministrja e Kulturës Elva Margariti.
“Vijon puna për restaurimin e ikonave të Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë. Si asnjëherë tjetër nuk është investuar kaq shumë në kulturë”, shkruan ministrja Margariti në një status të saj në Facebook.
Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është një vend mes modernes e të vjetrës, i cili brenda ambientit të tij bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. I ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. E vjetra dhe e reja bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme mes një harmonie ngjyrash. Brenda muzeut gjenden më shumë se 7.000 vepra arti dhe objekte kulturore, kryesisht ikona si edhe punime druri, guri, metali dhe tekstili të cilat dëshmojnë një histori të gjatë të ikonografisë shqiptare. Duke filluar me Murin e Artë, i cili mbulon dy kate me lartësinë e tij prej 9.5 m, volumi dhe bukuria e koleksionit të shekullit të 16-të i ekspozuar në të është thjesht befasuese.
Në vazhdim gjendet Ballkoni i Bardhë, ku ekspozohen ikonat më të vjetra të muzeut, ato të shekullit të 14-të. Këtu gjendet edhe më simbolikja ndër to, ikona e ardhur nga Kisha e Shën Mërisë. Pavioni i Labirintit të Zi ekspozon punët e artistit të madh Onufri, “e kuqja” e famshme e të cilit shkëlqen si asnjëherë tjetër në këtë sfond të errët e misterioz. Ky labirint është një korridor që lehtëson kundrimin e posaçëm ndaj 20 ikonave të shekujve 16 dhe18.
Dhoma e Kuqe, në qendër të të cilit është vendosur ikonostasi i shekullit të 18-të i gdhendur me motive të apokalipsit, është nga mjediset më ndjellës e të ngrohtë të muzeut. Fundi i udhëtimit vjen pikërisht në Dhomën e Parajsës, një ambient hyjnor i cili mban dy kryevepra të vëllezërve Zografë. Me shfaqjen e Konstandinit të madh bashkë me ushtarët gjatë rrugëtimit të tij të gjatë drejt gjetjes së Krishtit të kryqëzuar, mbyllet edhe udhëtimi brenda botës së artit mesjetar.
Diskutime rreth kësaj post