Juventusi po përpiqet të rikuperojhë pozitat e humbura dhe të afrohet sa më shumë me kreun, që mbahet prej Interit, me shpresën se mund ta përmbysë diferencën e krijuar dhe ta mbrojë sërish titullin e kampiones së Italisë.
Por këtë herë nuk e ka të lehtë, për më tepër që rivalitetië shtë më i madh dhe në garë për titullin nuk është vetëm Interi, por edhe Milani e ndonjë skuadër tjetër. Ndërkohë, në projektet afatgjata të klubit nuk përfshihet sulmuesi Kristiano Ronaldo dhe shkaku lidhet me paratë. Në fakt, portugezi po luan sezonin e tij të tretë me fanellën e Juventusit dhe ka edhe një vit të mbetur në kontratë, por paga e lartë e portugezit dhe vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga pandemia, mund të sjellin divorcin e parakohshëm.
Mbyllja e shkallëve të stadiumit ka ulur ndjeshëm të ardhurat për Juventusin dhe 31 milionë eurot e pagës së sulmuesit portugez, që shkojnë shumë më tepër në vlerë bruto, rëndojnë jo pak në arkat e bardhezinjve. Interesi për Ronaldon nuk mungon, qoftë nga klube europiane, qoftë nga ato amerikane, me Inter Miamin që është gati të “lajë në ar” portugezin dhe të paguajë edhe një shifër të kënaqshme te Juve për kartonin e tij. Nga ana tjetër, Paratiçi po punon për të rikthyer në Itali sulmuesin argjentinas Mauro Ikardi, i cili pas divorcit të hidhur me Interin, mirëpret një transferim te “zonja e vjetër” për një lloj revanshi ndaj zikaltërve.
Paris San Zhermen pagoi 58 milionë euro në total për kartonin e futbollistit argjentinas, ndërsa Juventus mund ta marrë në huazim me të drejtë blerjeje për një shifër prej rreth 50 milionë eurosh, të ndarë në këste në disa vite. Sa i përket reduktimit të shpenzimeve, edhe mesfushorit Rabiot e Ramsi, të cilët erdhën me parametra zero në Torino, janë në listën e atyre që duhen sakrifikuar këtë verë, pasi kanë paga mjaft të larta. Për më tepër asnjë prej tyre nuk është titullar i padiskutueshëm dhe bardhezinjtë po provojnë të afrojnë Lokatelin nga Sasuolo për mesfushën, ndaj largimi i Ramsi e Rabiot do të ishte një operacion me mjaft leverdi për klubin.
Ndërkohë, në Juventusi është në finalen e Coppa Italia, 1/16 e finales të Ligës së Kampionëve dhe qëndron i treti në Serie A, 10 pikë prapa udhëheqësit të Ligës Inter, por me një lojë më pak të zhvilluar. Me Lacio gjashtë pikë prapa tyre në vendin e shtatë, Pirlo sheh rëndësinë shtesë të një rezultati të mirë kundër të përzgjedhurve të Inzagit.
“Ndeshjet janë të gjitha të rëndësishme, ndeshja e nesërme është gjithashtu e rëndësishme. Entuziazmi ekziston sepse po kalojmë një periudhë lojërash të vështira dhe të rëndësishme” – u shpreh Pirlo.
Tutje, ish-futbollisti italian theksoi se Juventusi do të vazhdojë të luftojë në të gjitha frontet. “Në renditje, situata është e njëjtë me javën e kaluar. Ne duhet të jemi të gatshëm të mos bëjmë gabime në rast se bëjnë ato më lart. Ne po luftojmë në të gjitha frontet dhe për sa kohë që ka shpresë, ne do të duhet të japim gjithçka që të përpiqemi të fitojmë kampionatin”, – përfundoi Pirlo.
Diskutime rreth kësaj post