Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ditën e sotme zhvilloi një homazh në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz në ditën e dytë të Epopesë së UÇK-së.
Gjatë fjalës së tij, Kurti u shpreh se edhe pse kanë kaluar 23 vite nga vrasja e anëtarëve të familjes Jashari, akoma nuk ka asnjë të dënuar në lidhje me këtë. Ai tha se secili anëtarë i familjes Jashari sakrifikoi për ketë vend, por drejtësia ndaj sulmit të Serbisë nuk ka nisur akoma.
Deklarata e Kurtit:
“Tre breza, gjithsej 59 veta para 23 vjetëve u flijuan në Prekazin historik për lirinë e Kosovës. Baca Shaban dhe nëna Zahide, daja Osman, deri te Kushtrimi 13 vjeç e Igballja e Blerina e vogël, u sakrifikuan për çlirim, për pavarësi, për bashkim, për popullin dhe kombin tonë. Gjysma ishin burra e gjysma gra e fëmijë. Hamza luftoi bashkë më gruan e tij, e Ademi bashkë me gruan. Ndërsa bashkëshortja e bacës Rifat u vra me vajzat e saj dhe djalin.
Për këtë sulm shtetëror të Serbisë ndaj familjes legjendare Jashari, askush nuk është gjykuar dhe nuk ka pasur asnjë gjykim për këtë krim shtetëror të Serbisë që dikush të dënohet. Drejtësia është vonuar dhe as s’ka filluar, prandaj ne duhet të angazhohemi që kjo të ndryshojë për hir të Republikës së Kosovës, për hir të pasardhësve të Jasharëve dhe për hir të kombit tonë”, tha Kurti.
Diskutime rreth kësaj post