Realizmi i planit të veprimit në pesë vite për personat me aftësi të kufizuar ka nevojë për 11.8 milionë euro. Në dokumentin e bërë publik nga qeveria dhe që është në fazë konsultimi analizohen një sërë objektivash lidhur me këtë kategori dhe që nisin nga ofrimi i aksesit të barabartë në shërbime dhe informacion tek garantimi i aksesit të barabartë të sistemit të drejtësisë për të gjithë personat me aftësi të kufizuar.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale argumenton se kushtet e jetesës së personave me aftësi të kufizuara shpesh perceptohen si çështje që duhet të përfshihen vetëm në fushën e çështjeve sociale apo kujdesit shëndetësor.
“Qasja që sjell Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar ( KDPAK) për aftësinë e kufizuar si një qasje e lidhur drejtpërdrejt me realizimin e të drejtave të njeriut por edhe karakteri, shkaqet dhe kërkesat e aftësisë së kufizuar, e kanë bërë tashmë të qartë fizionominë gjithëpërfshirëse që duhet të ketë një dokument politik për aftësinë e kufizuar. Një nga karakteristikat kryesore të portofolit të politikave për personat me aftësi të kufizuar është se ndikon në mënyrë të barabartë në secilën fushë të jetës e për pasojë gati në secilin sektor administrativ. Prandaj kjo kërkon vëmendjen maksimale dhe të kujdesshme të të gjitha ministrive të linjës me qëllim hartimin e politikave të efektshme dhe të koordinuara me kujdes”, nënvizon ministria në prezantimin e planit.
Ministria bën me dije se financimi për zbatimin e masave të parashikuara në PKVPAK 2021-2025, është parashikuar në buxhetin e shtetit, pas një vlerësimi të fondeve të disponueshme në ministritë përkatëse të linjës.
Në rastet kur buxheti i shtetit nuk është i mjaftueshëm për përmbushjen e plotë të objektivave, PKVPAK parashikon një ndarje të hendekut të financimit si dhe propozimin për fonde donatorësh. Gjithashtu, fondet dhe lloje të tjera burimesh të ofruara nga njësitë e qeverisjes vendore dhe shoqëria civile janë thelbësore për nxitjen e përfshirjes në nivel vendor, por ato nuk pasqyrohen në këtë Plan Kombëtar Veprimi, i cili fokusohet në angazhimet, aktivitetet dhe buxhetet e qeverisjes qendrore.
Diskutime rreth kësaj post