Eksodi i parë, ai i marsit 1991, u trajtua me shumë humanizëm nga autoritetet italiane, ku shqiptarët edhe me ndërhyrjen e ambasadës mundën që të përfitojnë nga ligji i emigracionit “Martelli” përmes të cilit mund të përfitonin leje qëndrimi dhe pune dy vjeçare.
Ambasador Dervishi, i cili e ka përjetuar nga afër atë situatë aspak të lehtë rrëfen se Italia u gjend e papërgatitur ndaj një fluksi të tillë emigrator nga Shqipëria i cili pritej të vijonte. Zoti Dervishi e cilëon trajtim jo njerëzor sjelljen e autoriteteve italiane ndaj shqiptarëve në gusht të 1991, kur me mijëra shqiptarë u futën me forcë në stadiumin e Barit nën temperatura të larta vere dhe në mungesë të ushqimeve.
Nuk ka munguar edhe një veprim i ambasador Dervishit në stadiumin e Barit, i cili nga mediat italiane u cilësua si “një gjest proteste i Ambasadorit Shqiptar në Itali”.
Eksodi drejt Italisë:
Ashtu siç parandihej, por edhe siç ishte parashikuar nga kushdo që ndiqte nga afër proceset e ndryshimeve në shoqërinë shqiptare, ngjarja dramatike e familjes Popa në Ambasadën Italiane, që u pasua nga kapërcimi masiv i mureve të ambasadave nga rreth 5.500 qytetarë dhe largimi i tyre me gjashtë anije në drejtim të brigjeve të Italisë, i la vendin historisë së kapërcimit të Adriatikut me tragete dhe me çfarëdolloj mjeti lundrues, që gjendej në bregun shqiptar. Në qoftë se në dy aktet e para, duke kapërcyer muret e ambasadave të huaja, në themel të rrezikut qëndronte dëshira për liri, në furinë që rrëmbeu mendjen e njerëzve për arrati nëpërmjet detit, më pas, qëndronte ëndrra për një jetë më të mirë, ëndërr, që për fat të keq vazhdon edhe sot.
Pjesa më e madhe e shqiptarëve që zbarkonin në Itali, largoheshin për shkak të gjendjes së keqe ekonomike, pavarësisht se midis tyre kishte edhe shumë të rinj që kërkonin më shumë liri, apo anëtarë familjesh të pakënaqura e të përndjekura politikisht nga regjimi komunist. Nga korriku 1990, me hyrjen nëpër ambasada dhe nisjen e tragetit të parë, deri në fund të dhjetorit të vitit 1991, vazhduan largimet masive me çfarëdo lloj mjeti lundrues që gjendej në brigjet tona. Gjatë këtij eksodi të paparë deri në atë kohë, lanë vendin e tyre më shumë se 200.000 shqiptarë.
Megjithëse pritej, qeveria italiane u gjend e papërgatitur nga të gjitha pikëpamjet për të përballuar një fluks aq të madh emigrantësh. Ngado u shfaqën mungesat e organizimit në administrimin e kapaciteteve për sistemimin e tyre. Entuziazmi dhe propaganda në opinionin italian për mikpritje dhe jetë më të mirë, filloi të bjerë dhe vendin e tyre e zunë dyshimet, pakënaqësitë dhe thirrjet për masa më të forta nga ana e qeverisë italiane për bllokimin e vazhdimit të këtij procesi. Nisi të qarkullojë mendimi se kjo ishte një ndërmarrje e organizuar nga Tirana, për të shfryrë rrezikun e trazirave që mund të plasin në Shqipëri.
Më 7-10 mars 1991, rreth 20.000 refugjatë shqiptarë të nisur nga porti i Vlorës dhe i Durrësit zbarkuan në portet e jugut të Italisë: në Brindisi, Bari, Otranto dhe Monopoli. Shqipëria dukej sikur ishte shkulur e gjitha nga rrënjët, për t’u zhvendosur në vendin fqinj, i cili nuk dinte ç’të bënte me ata dhjetëra mijëra njerëz të pashpresë, që kërkonin një jetë më të mirë në bregun matanë, ashtu siç e kishin parë në reklamat dhe filmat e transmetuar nga televizionet italiane.
Më 10 mars 1991 u nisa në jug të Italisë, për të parë nga afër gjendjen e krijuar, për të takuar si autoritetet vendore, ashtu edhe emigrantët. I shoqëruar nga miku im i vjetër, rektori i Universitetit të Barit, Attilio Alto, vizitën e parë e bëmë në Bashkinë e qytetit. Atje na priste kryetari i Bashkisë, Dalfino, dhe autoritetet kryesore vendore, si dhe kryetarët e grupeve kryesore të partive politike, të përfaqësuara në Këshillin Bashkiak. Më pas, shkuam në Prefekturë. Prefekti De Mari na dha një pasqyrë të shpërndarjes së emigrantëve shqiptarë në të gjithë provincën e Puglia-s. Nga 19.409 shqiptarë që kishin mbërritur në Puglia deri në atë datë, në qytetin e Barit ndodheshin 2.173 prej tyre. Ata i kishin shpërndarë kryesisht në Bari, Triggiano, Cassano, Mola, Molfetta, Giovionazzo dhe Noicattaro. Grupi më i madh prej 1.200 vetash ishte sistemuar në disa hotele dhe konvikte të Monopolit. Autoritetet vendore dhe populli i këtyre zonave i mirëpriti të ardhurit, duke i ndihmuar ata me ushqime, veshje dhe strehim.
Bëmë disa vizita në qendrat e grumbullimit, për të parë nga afër kushtet e jetesës, ku vinim re një angazhim maksimal të strukturave të emergjencës italiane, por edhe përkushtimin e vullnetarëve të shumtë, të mobilizuar si për një situatë të jashtëzakonshme të rrezikut humanitar. Meqenëse ndihej nevoja e disa përkthyesve për komunikim, ramë dakord dhe u dërguam disa studentë dhe pasuniversitarë që ndodheshin në Itali, të cilët dhanë një kontribut të çmuar në ato ditë të vështira.
Atje takova edhe shumë bashkëqytetarë. Përshkrimi i gjendjes së tyre, kërkesave dhe problematikës që hasa, kërkon faqe të tëra të një libri më vete. Nga ana tjetër, shtypi i kudondodhur na ndiqte në çdo hap duke kërkuar shpjegime e sqarime të shumta, që u pasqyruan ato ditë në faqet kryesore të gazetave dhe të ekraneve të televizioneve.
Joshja ndaj Italisë, përveç të tjerave, erdhi edhe si rezultat i informacioneve të gabuara që qarkullonin në opinionin shqiptar, lidhur me “legjitimitetin” që fitonin emigrantët që mbërrinin në Itali, duke u bazuar në ligjin “Martelli”. Ai ligj ishte shpallur që në janar të vitit 1990, si një përpjekje për të kontrolluar dhe monitoruar emigracionin drejt Italisë në përgjithësi dhe njëkohësisht shërbente edhe për vendosjen e sistemit të kuotave. Sipas ligjit “Martelli”, çdo emigranti i ligjshëm ose jo, që mund të provonte se kishte hyrë në Itali përpara fundit të vitit 1989, i jepet një leje qëndrimi dyvjeçare. Por në fakt, në korrik 1990, kur mbi 4,000 shqiptarë kërkuan strehë në Itali, ligji “Martelli” u pezullua, dhe vetëm 800 prej tyre u akomoduan.
Pas zgjedhjeve të para demokratike, që u mbajtën në Shqipëri në mars 1991, Shqipëria nuk konsiderohej më si një vend totalitar, por ndërkohë rreth 25.000 emigrantë shqiptarë mbërritën në Itali brenda pak ditësh. Në ato kushte, u ndërpre sërish zbatimi i ligjit “Martelli”, ndërsa në prill të atij viti u krijua Ministria për Komunitetet Italiane jashtë vendit dhe për Emigracionin, në krye të së cilës u vendos socialistja Margherita Boniver. Më 11 maj, Ministria mori mandat të posaçëm, që shqiptarët e mbërritur në mars t’i shpërndante në të gjithë Italinë, duke i pajisur me leje pune. Më 20 korrik përfundonte mandati i jashtëzakonshëm i ndihmës për emigrantët. Për shqiptarët u la një hapësirë kohe deri më 31 korrik, për t’u regjistruar sipas normave të ligjit “Martelli”. Ndërkohë, brenda 31 korrikut, qytetarët shqiptarë që donin të ktheheshin në atdhe, duke përfituar nga ndërhyrjet e organizatave të emigracionit, duhej të paraqisnin një kërkesë autoriteteve të sigurimit publik.
Nga 22 mijë shqiptarë që ndodheshin në Itali, të shpërndarë pothuajse në të gjitha rajonet, vetëm 4 mijë kishin gjetur punë, edhe pse sezonale. Më pak se 11 mijë u regjistruan për punë, 2 mijë për kurse për formim profesional dhe 645 u njohën si refugjatë politikë. 1.900 fëmijë të pashoqëruar nga prindër iu besuan gjykatave për të miturit.
Më 23 prill 1991 mbërriti në Romë Aleks Luarasi, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Objektivi kryesor i vizitës së tij ishte interesimi pranë autoriteteve italiane për gjendjen reale dhe fatin e emigrantëve shqiptarë në Itali. Më 25 prill u takuam me Drejtorin e Përgjithshëm të MPJ-së për emigracionin, Colomia, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve civile, Delati. Ata na dhanë një pasqyrë zyrtare mbi numrin dhe shpërndarjen e emigrantëve në Itali dhe të të larguarve në vende të tjera të Europës. Në mënyrë të veçantë u trajtua problemi i minorenëve, mundësitë dhe rrugët për kthimin e tyre në atdhe, nevoja e kthimit vullnetar të emigrantëve, si dhe e bashkimit familjar të atyre që ishin shpërndarë në vende të ndryshme.
Më pas, na priti në një takim edhe Kryeministri Giulio Andreotti, i cili na njohu me përpjekjet e Italisë për të sistemuar emigrantët shqiptarë, por edhe me vështirësitë e mëdha me të cilat po përballeshin. Ai kërkoi një bashkëpunim më të madh midis autoriteteve të të dy vendeve, për ta frenuar këtë dukuri, duke u përqendruar kryesisht në masat parandaluese në territorin shqiptar.
Vizita e Luarasit dhe takimet në Romë u pasqyruan edhe në një komunikatë zyrtare të Ministrisë së Jashtme Italiane. Më 24 prill, nga Roma, së bashku me Luarasin u nisëm në Bari dhe Brindisi ku u njohëm nga afër me gjendjen dhe sistemimin e emigrantëve shqiptarë.
Nga ana tjetër, për të shpjeguar qëndrimet e qeverisë italiane dhe masat për vënien e tyre në zbatim, ministrja Margherita Boniver-i ndërmori një udhëtim në Tiranë, ku u takua me autoritetet më të larta, duke kërkuar si mirëkuptimin e qeverisë shqiptare, ashtu edhe sensibilizimin e opinionit në vend.
Sipas programeve të qeverisë italiane, filluan të bëhen përpjekje për kthimin gradual në Shqipëri të një pjese të emigrantëve. Ministrja e Emigracionit, Margherita Boniver, i parashtroi qeverisë italiane dhe asaj shqiptare një sërë projektesh për realizimin e planeve. Ideja ishte që çdo emigranti, që do të pranonte të kthehej vullnetarisht në Shqipëri, do t’i ofrohej mbështetje financiare për të filluar një aktivitet ekonomik privat. Por, pavarësisht marrëveshjes midis dy qeverive, që justifikonte ligjërisht riatdhesimin e 7.000 shqiptarëve, që mbërritën në mars 1991, mënyra e kryerjes së operacionit kishte problematikat saj. Ajo ishte një masë artificiale, që nuk funksionoi asnjëherë.
Në ditët e eksodit të shqiptarëve drejt Italisë, një barrë e rëndë i ra edhe Ambasadës sonë, për të përballuar situatën e krijuar. Kontaktet me autoritetet italiane u shpeshtuan, po ashtu edhe me emigrantët, të cilët herë pas here krahas entuziazmit të mbërritjes në “tokën e ëndërruar”, përballeshin edhe me zhgënjimet ndaj realitetit italian. Midis tyre nuk mungonin edhe të njohurit tanë, miq, shokë e të afërm. Ata mendonin se do të gjenin çdo gjë të shtruar, ndaj vështirësitë e para që hasnin bëheshin shkak për nervozizëm. Atyre u dukej se nuk po kryhej siç duhej detyra kundrejt tyre, madje mendonin se po u bëheshin edhe padrejtësi. Ata ishin nën ndikimin e një psikoze kolektive: me të mbërritur në Itali do të gjenin çdo gjë gati.
Opinioni i krijuar në Shqipëri se Skënderbeu kishte shpëtuar Italinë nga pushtimi otoman, se populli shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte strehuar ushtarët italianë për t’i shpëtuar nga hakmarrja e gjermanëve, se Shqipëria me daljen nga Traktati i Varshavës i kishte krijuar siguri Italisë në Adriatik, e të tjera si këto, nxiste pritshmërinë se në bregun tjetër do të priteshin me angazhimin maksimal për të shlyer një borxh historik. Në shtypin e ditës dhe në emisionet e televizioneve italiane, nisi të zërë gjithmonë e më shumë vend pasqyrimi i këtyre zhgënjimeve. Edhe në emisionet televizive italiane bëheshin shpesh herë analiza dhe autokritika për pasqyrimin e imazhit të gabuar në kuadrin e propagandës së përgjithshme gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.
Në 8 gusht 1991 ndodhi eksodi i dytë. Në historinë e shtegtimit me tragete do të mbetet e pashlyeshme ndodhia me anijen Vlora, që u nis nga Durrësi me rreth 10.000–15.000 persona në bordin e saj dhe mbërriti në portin e Barit. Në të njëjtën kohë, disa anije të tjera me rreth 1.000 persona arritën në portin e Otrantos. Dy anijeve të tjera me rreth 675 persona u përpoqën të zbrisnin në portet e Sicilisë dhe në Maltë, por nuk mundën dhe u detyruan të ktheheshin në Shqipëri.
Por pritja e autoriteteve italiane këtë herë nuk ishte si ajo e marsit. Autoritetet portuale të Barit lejuan zbarkimin e turmave të shqiptarëve për arsye humanitare, dhe i vendosën ata në kalatat e portit. Pas disa orësh, ata u transportuan në stadiumin “La Vittoria”. Të rrethuar nga forca të shumta të policisë, ata nisën të shfaqnin shenja nervozizmi, madje edhe u rebeluan ndaj tentativave të policisë për t’i kthyer mbrapsht me forcë.
Mbyllja në mjediset e stadiumit në kushte jonjerëzore nga të gjitha pikëpamjet, krijoi shumë probleme midis emigrantëve dhe forcave të rendit, deri në përdorimin e forcës. Mbi stadium vërtiteshin helikopterët që vëzhgonin gjendjen dhe bënin furnizimin nga lart me ushqime dhe ujë. Autoritetet italiane filluan riatdhesimin e detyruar, duke përdorur avionë ushtarakë të transportit dhe tragetet. Shqiptarët, të mbyllur në stadium, refuzonin që të ktheheshin në vendin e tyre. Rreth 300 prej tyre arritën të ikin nga stadiumi. Qeveria italiane mori vendimin për të ofruar 50.000 lireta (rreth 40 dollarë amerikanë) për secilin që do të kthehej mbrapsht, por edhe ajo masë dështoi.
Ky ishte reagimi i parë zyrtar dhe publik i qeverisë italiane për të bllokuar “pushtimin” paqësor të Italisë nga emigrantët shqiptarë, që më vonë u pasua nga procesi i kthimit dhe marrja e masave për ta bllokuar këtë dukuri që në nisje, nëpërmjet ligjit të ashtuquajtur “Martelli”.
Ishte ditë e diel, 11 gushti i vitit 1991, kur me një telefonatë në shtëpi u njoftova se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit italian, Vittorio Parisi, kërkonte të fliste me mua. Gjatë bisedës ai më kërkoi që ta shoqëroja në Bari, për të parë nga afër gjendjen e krijuar në stadiumin e qytetit, ku ishin grumbulluar emigrantët shqiptarë, që prej disa ditësh. Telefonata më kapi në befasi, ndaj, mbas disa pyetjeve të mia për sqarime të mëtejshme e për të fituar kohë, i thashë se do t’i jepja përgjigje pak më vonë. U lidha në telefon me Muhamet Kapllanin, në atë kohë Ministër i Punëve të Jashtme.
Ai më tha që ta vlerësoja vetë situatën dhe të bëja si ta gjykoja se bëhej më mirë. “Këtu nuk ka njeri që të të thotë të shkosh ose jo…”, e mbylli bisedën ministri dhe miku im Kapllani. E vetmja me të cilën mund të këshillohesha ishte gruaja ime, Elvira, e cila e trembur më kërkoi të mos shkoja, pasi prania ime krahas forcave italiane të rendit mund të përdorej nga pala italiane në përpjekjet e tyre për të nxjerrë me forcë emigrantët nga stadiumi dhe për t’i kthyer mbrapsht në Shqipëri.
Vendosa të shkoj, jo me qëllimin për t’u bërë thirrje bashkëkombësve të mi që të dilnin nga stadiumi e të ktheheshin në Shqipëri. Pa e ditur se çfarë do të bëja, në mendje më erdhi akti publik i një prifti kolumbian, i cili protestën e tij ndaj padrejtësive, dhunës së pushtetit, varfërisë dhe përkrahjen ndaj revoltës popullore e shfaqi direkt në një emision televiziv para kamerave, duke mohuar mantelin e tij të priftit.
Pas një ore isha në aeroportin e Ciampino-s, ku në një kapanon të mbyllur më priste drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Vitorio Parisi, dhe dy-tre funksionarë të tjerë, të shoqëruar nga një grup truprojash. Në avionin e vogël, ulur ballë më ballë me Parisin, gjatë gjithë fluturimit, pothuajse nuk shkëmbyem asnjë fjalë. Përpara se të uleshim në aeroportin e Barit, Parisi më pyeti: “Ç’do të bëjmë, ambasador”? “Sipas situatës që do të shohim në vend”, iu përgjigja unë. Nga aeroporti u drejtuam për në Prefekturë, për t’u njohur me gjendjen. Në zyrën e prefektit, së bashku me disa funksionarë ishte edhe një shqiptar, një djalë i ri që e kishin nxjerrë nga stadiumi për të marrë informacion.
Ai shpjegoi se gjendja brenda stadiumit ishte tepër e acaruar, se disa djem të zemëruar kishin edhe armë dhe ishin gati të bënin gjithçka në rast të ndonjë ndërhyrjeje me forcë të Policisë. Jo vetëm kaq, por ai tha se edhe nëse ndonjë kërkon të dalë e të kthehet mbrapsht, ata nuk e lënë. Ata i kërkuan djalit që të kthehej prapë në stadium dhe t’iu mbushte mendjen disa prej “kapove” që kontrollonin gjendjen, që të dilnin, me premtimin se do t’i linin të lirë të shkonin ku të dëshironin. Djali nuk pranoi të luante një rol të tillë. Më pas e larguan dhe nuk e di se ç’u bë me të. Nuk e kam parë më atë djalë, madje as emrin nuk arrita t’ia mësoj.
Nga Prefektura u drejtuam për në stadiumin e Barit. Të mbrojtur nga shumë policë civilë, iu afruam sheshit përpara stadiumit. Gjendja ishte e mjerueshme. Stadiumi ishte mbushur me qindra emigrantë, të rrethuar nga kordonët e policisë. Jashtë kordonit kishte me dhjetëra shqiptarë të tjerë, që kishin ardhur me tragetet e para, italianë kureshtarë dhe gazetarë. Në një moment, një djalë i ri brenda kordonit më thërret me emër. Ishte një fqinj nga lagjja ime në Tiranë.
U nisa drejt tij, për të kaluar gardhin e policëve, me dëshirën për ta takuar, por truprojat më ndaluan. Ndërkohë, kamerat e televizioneve të shumta ndiqnin hap pas hapi çdo veprim tonin. Një gazetar më afrohet e më kërkon mendim për gjendjen e krijuar. “Shikojeni vetë gjendjen e mjerueshme, ajo nuk ka nevojë për koment”, ishte përgjigjja ime. Parisi, i cili e pa skenën, nga frika se mos situata mund të rëndohej më tej, mu afrua e më tha: “Bën mirë të kthehesh ambasador, unë do të vazhdoj të bëj detyrën time”. Të nesërmen, në shtypin lokal të Barit, kjo ngjarje dhe kthimi im i papritur, do të pasqyrohej si “një gjest proteste i Ambasadorit Shqiptar në Itali”.
Diskutime rreth kësaj post