Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer dje në kritika të forta ndaj presidentit Ilir Meta pas kërcënimit të këtij të fundit dy ditë më parë. Kreu i shtetit në një intervistë televizive foli për prerje duarsh, shkulje veshi dhe përmbysje në 25 prill, por për kreun e qeverisë Ilir Meta kërkon referendum për të rrëzuar reformën në drejtësi. Në një konferencë për shtyp kryeministri Rama tha se shqiptarët më 25 prill duhet të zgjedhin mes drejtësisë dhe Ilir Metës.
“Në një farë mënyre Ilir Meta duhet falënderuar sepse ka sqaruar plotësisht ekuacionin e referendumit, i cili ishte një ekuacion i paplotë me vetëm njërën anë që në 25 prill referendumi popullor do të shpërbëjë reformën në drejtësi. Tani Ilir Meta i fton shqiptarët në një referendum ku duhet të zgjedhin, me drejtësinë apo me Ilir Metën. Me reformën në drejtësi deri në fund apo me Ilir Metën? Zgjedhje më të qartë, më të drejtpërdrejtë shqiptarët nuk mund të kenë më 25 prill dhe për këtë Ilir Meta duhet falënderuar”, – tha ai.
Kryeministri Edi Rama ndërsa ka folur për disa ligje të reformës në drejtësi që janë depozituar për korrigjim në Kuvend, u shpreh se reforma në drejtësi është e besueshme madje sipas tij ka filluar të japë efekte domethënëse saqë është tensionuar presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ndër të tjera, ai u shpreh se çdo ligj i reformës nuk miratohet pa u diskutuar nga shumica.
“Reforma në drejtësi dhe çdo nen i çdo ligji i të gjithë paketës të reformës nuk është vullnet i shumicës qeverisëse por vullnet i plotë i garantëve të reformës. Nuk ka nen të reformës, i cili kalon pa u diskutuar dhe miratuar bashkarisht. Reforma në drejtësi është aq e besueshme sa niveli i shkallimit të Ilir Metës. Shikoni Ilir Metën dhe aty matet besueshmëria e reformës, kuptoni se ka filluar të japë disa shenja domethënëse që nuk janë shumë dhe fare mjaft, por që janë mjaftueshmërisht të qarta për të tensionuar Ilir Metën dhe Sali Berishën”, – tha Rama.
Rama mesazh Bashës
Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza të forta edhe ndaj drejtuesit të opozitës, Lulzim Basha. Rama u shpreh se Basha nuk është lider i PD, por dikush që drejtohet nga presidenti Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai theksoi se Basha duhet të çlirohet nga zinxhirët e tij dhe të ish-kryeministrit Berisha.
“Këtu problemi është Lulzim Basha që nuk ka këllqe, nuk ka karakterin e një lideri që të mos fshihet as kur i tregojnë çfarë do t’i bëjnë të nesërmen dhe as kur aleati i tij i madh thotë unë amerikanët i kap për veshësh. Është e qartë, por nuk mund t’ia kërkojmë sepse nuk është lideri, është thjesht menaxheri i një shoqërie aksionere me dy ortakë, me Ilir Metën dhe Sali Berishën dhe një notere dhe përmbaruese, Monikën. Besoj jam i qartë”, – tha Rama.
Rama flet për paktin PD-LSI
Teksa foli për marrëveshjen e firmosur midis PD-LSI, kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo sipas tij është një marrëveshje pa kuptim. Ai theksoi se pas kësaj marrëveshje fshihet presidenti Ilir Meta dhe Sali Berisha.
“Sa i përket marrjes së drejtimit të opozitës, kjo besoj është e qartë për ata që shikojnë përtej asaj që duket, mjafton të shikojmë firmosjen e marrëveshjes së djeshme për të kuptuar planin. Plani është i qartë? Pse u firmos marrëveshja dje? Pse? Pse u firmos një marrëveshje nga dy palë që garojnë veç e veç. Për çfarë? Është shumë e thjeshtë, është pjesë e planit për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës për llogari të Saliut dhe të Ilirit dhe pastaj ose për të marrë pushtetin dhe për të shpërbërë reformën në drejtësi ose për të marrë kokën e Lulit. Ka më thjeshtë se kaq? Dhe është shumë e qartë pse e duan Lulin të lidhur para zgjedhjeve. Këtu problemi nuk është Ilir Meta në pjesën e dytë”, – thekson Rama.
Diskutime rreth kësaj post