Emisioni “Opinion” vijoi këtë të martë me serinë e intervistave të rralla me personazhe që kanë qenë pjesë e politikës shqiptare gjatë 30 viteve të fundit. Kësaj here ka folur për jetën e tij, Lëvizjen e Dhjetorit, themelimin e PD-së, si dhe gjithë këto vite tranzicioni, Dashamir Shehi.
Shehi ka qenë zv/kryeministër, ministër e deputet. Ai gjithashtu ka qenë pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit, e po ashtu ka qenë një ndër themeluesit e Partisë Demokratike. Shehi rrëfeu përballë gazetarit Blendi Fevziu raportet që ka pasur me ish-kreun e PD-së, Sali Berisha.
Për Shehin, talenti më i madh i Berishës ishte fakti që menaxhonte njerëzit shumë mirë.
“Mënyra për të menaxhuar njerëzit. Talenti më i madh ishte për të menaxhuar njerëzit. Për të pritur ty në mëngjes, mua në drekë dhe tjetrin në darkë, e cila është në fakt linja normale e marrëdhënies shqiptare. Marrëdhënia shqiptare nuk është institucionale. Është private, është personal. Shqiptari këtë beson, më thirri presidenti. Berisha është njeri shumë i zgjuar, ka vullnet. Berisha ka defektet e veta dhe i ka bërë të gjitha dëmet e veta. Berisha, që t’ia mohosh cilësitë dhe të hedhësh bojë të zezë vetëm mbi Berishën dhe jo edhe mbi të tjerët, është e gabuar”.-u shpreh Shehi.
Shehi tha se Berisha ka pasur rolin e tij pozitiv gjatë historisë, megjithatë shtoi se ka pasur edhe momente të panevojshme, duke kujtuar 21 Janarin.
“Ka qenë një raport normal, i vështirë me thënë të drejtën, por unë jam një nëpunës, kam qenë një nëpunës i ndershëm, shumë i rregullt. Kështu që të merresh me mua ai e ka kuptuar që është e kotë. Kam qenë një nëpunës që nuk hap rrugë njëherë. Ti nuk mund të më thuash mua firmose këtë, se unë nuk hap rrugë njëherë. Kjo është e para dhe kjo na ka krijuar një lloj raporti konstruktiv me njëri-tjetrin, që gjithsecili e di kush është oborri i vet. Në një farë mënyre kjo ka krijuar një tension të brendshëm ku shkarkohesh. Vijnë për shembull zgjedhjet e 96-s, siç duket unë isha bërë më i rrezikshëm se sa duhet dhe ti duhet të largohesh. Unë e kuptoj pse duhet të largohem. Unë nuk largohem pse jam i pazoti, largohem se jam bërë më i zoti se duhet. Pas kaq vjetësh gjykoj që Berisha ka pasur në këtë periudhë edhe gjëra me rëndësi që kanë luajtur rol pozitiv. Në mandatin e dytë ka pasur disa momente reflektimi, siç ka pasur edhe elemente të panevojshme politika e 2 vjetëve të fundit, se nuk ishte nevoja të shtihej në bulevard, se ajo tregon një pazotësi të policisë, ajo tregon një tension që është ngritur përqark atij grupi”.- tha Shehi.
Video:
Diskutime rreth kësaj post