Analisti Frrok Çupi ka komentuar në “Top Talk” koalicionin e arritur mes PD dhe aleatëve për të garuar në zgjedhjet e 25 prillit.
Sipas Çupit, kryetari i PD, Lulzim Basha ka krijuar një koalicion me parti inertesh që nuk do të ndikojnë aspak në zgjedhje, aq më pak në formimin e pushtetit.
Intervista:
Çupi: Këto zakonisht kthehen në boomerang. Në teorinë e koalicioneve parazgjedhore, parti të tilla konsiderohen parti inerte që vdesin ditën e zgjedhjeve dhe nuk i bën asnjë dobi as zgjedhjes, as grumbullimit të votave dhe as formimit të pushtetit. E dyta, janë papajtueshmëritë ideologjike brenda partive dhe papajtueshmëritë e karaktereve, të cilat krijojnë një përplasje të pa imagjinueshme.
Dyrnjaja: Ka një klauzolë logjike që të gjitha këto kapërcehen kur vjen puna për të hequr Ramën nga pushtetit. Qëllimi është të largohet e keqja më e madhe nga pushteti.
Çupi: Atëherë të rrijmë tek formalizmat. Janë parti inerte dhe politika inerte. Politika inerte janë ato që PD po i ndjek prej kaq kohësh. Praktikisht ka mbledhur kostumin e vjetër se nuk ka asgjë të re në PD. E vetmja gjë e re është krijimi i partive të vogla ose të reja që kanë dalë nga PD, të tjerat janë ato parti që kanë qenë dhe janë jo parti, por kryetarë partish, kjo është fatkeqësia tjetër shumë e madhe. Një cështje tjetër shumë e rëndësishme cfarë ndikon në formësimin e politikave serioze në PD është se herë shpreson te këta kryetarë partish, herë shpreson tek lojërat e vogla poshtë brezit dhe herë shpreson tek elementë që nuk kanë lidhje, nuk varen. Pra shpreson tek rotacioni dhe thotë që unë do fitoj dhe militantët e PD janë fryrë e pompuar me këtë ide që përderisa ka rotacion, ne do fitojmë. Këta shpresojnë se PS do t’i sulet Rilindjes, një fantazi që nuk qëndron. E fundit, këta kanë shpallur një motiv lufte që thonë jemi kundër një njeriu. U shpreh qartë njëri prej aleatëve duke thënë se nuk jemi në luftë me PS, por jemi kundër Edi Ramës. Kjo kthehet në boomerang dhe mobilizon kundërshtarin.
Sa i përket koalicionit opozitar, Çupi thotë se opozita është jo ekzistente dhe me zëvendësimin e militantëve me kryetarë të partive të tjera, e ka dobësuar akoma më shumë veten.
Çupi: Çështja është se kjo është pika fundore e politikës së opozitës. Opozita vjen në një arnim, arnon një gjë për të treguar se paskam shumë parti. Në fakt nuk ka shumë parti, por shumë kryetarë partish, ka zëvendësuar militantët e vet më të mirë me kryetarë të partive të tjera dhe kështu e ka dobësuar veten, e ka rrënuar veten. Pra është një gënjeshtër e hapur. Çështja themelore e opozitës është se ishte jo ekzistente dhe vazhdon të jetë e tillë. Njeriu kur shkoi për të votuar kësaj radhe, individi, votuesi do të bëjë një pyetje: “Ku ishe ti i dashur Denis? Ku ishe ti i dashur Luli kur unë kisha tërmet, pandemi, kisha nevojë?” Nuk imponove ligj, parimësi, nuk më dëgjove për ta transmetuar në shtet. Flas për partitë politike që bëjnë shtetin dhe jo shoqatat e gjuetarëve që nuk bëjnë asgjë. Problemi është se opozita nuk ekziston ose ekziston me faje shumë të mëdha.
Diskutime rreth kësaj post