Koalicioni opozitar mes Partisë Demokratike dhe aleatëve është firmosur pasditen e sotme. Në listën e partive që do të marrin pjesë të bashkuara në zgjedhje me PD-në, mungon emri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka vendosur të garojë e vetme.
“Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, ky është emri i vendosur për koalicionin. Udhëheqëse e tij është zgjedhur Partia Demokratike, ndërsa listat shumëemërore të kandidatëve për deputet do të paraqiten në KQZ prej liderit të saj, Lulzim Basha.
“Vendosëm që të formojmë një koalicion për të konkurruar së bashku në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 prill 2021. Partia udhëheqëse është Partia Demokratike. Të autorizojmë z. Lulzim Basha që të paraqesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat shumëemërore të kandidatëve për deputet, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit dhe kandidatëve deri në përfundim të procesit zgjedhor”, shkruhet në dokument.
Sa i përket numrit të kandidatëve që do të përfaqësojnë secilën parti dhe vendosjes së tyre në listë sipas rendit, kjo do të varet prej rezultateve të mëparshme zgjedhore.
Diskutime rreth kësaj post