Gjatë një takimi me gratë e njësisë numër 5 në Tiranë, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi bëri të ditur se prioritetet e partisë së saj janë të panegociueshmem një deklaratë kjo që shkon si një mesazh për kryedemokratin Lulzim Basha.
Teksa foli për situatën e pandemisë dhe gjobat e vendosura me qëllim për parandalimin e përhapjes së virusit, Kryemadhi u shpreh se policia është vënë në funksion të gjobave dhe se sipas saj kryeministri Edi Rama nuk di të mbajë premtimet.
Fjala e Kryemadhit:
“Të rinjtë dhe të rejat janë një pjesë tepër e rëndësishme e gjithë jetës politike dhe asaj shoqërore të vendit, por ato që i japin ngjyrë dhe sharm janë gratë. Jo se unë jam grua vetë dhe mendoj se punoj më mirë se një burrë, por mendoj se përgjegjësia dhe angazhimi i gruas është i drejtpërdrejtë, sepse ka të bëjë me subkoshiencën e saj, kujdesin që ajo ka për familjen, për fëmijët, për ambientin ku jetojnë dhe rriten fëmijët e saj.
Kjo është arsyeja se përse angazhimi i grave në jetën politike do të ishte një nga gjërat kryesore që do të krijonte hapësira pa fund për shoqërinë shqiptare.
Një grua në politikë, një grua në vendimmarrje është shumë e rëndësishme për gjithë shoqërinë, për shkak se vetë paqja dhe mirësia e gruas, që Zoti e ka bërë nënë, i jep edhe shumë instinkte të tjera për të përcjellë atë atmosferë pozitive për të cilën shoqëria ka nevojë.
Unë ju falënderoj të gjithave ju që jeni sot këtu në këtë takim, edhe pse keni angazhimet tuaja, pasi për ne si LSI angazhimi i gruas është shumë i rëndësishëm. Për ne gruaja është guri i themelit të shoqërisë, guri i themelit të shtetit dhe mbi të gjitha është vazhdimësia. Pa gratë dhe vajzat tona të mrekullueshme ne do ta kishim të pamundur për të krijuar këtë LSI që ne kemi sot.
Kështu që ne jemi shumë të fokusuar në programin tonë me pesë prioritetet tona që janë shumë të thjeshta dhe shumë të mundshme për tu realizuar. Nuk na ndajnë më shumë se 60 ditë tashmë nga zgjedhjet e 25 prillit, që është një datë shumë e rëndësishme për të përfshirë të gjithë qytetarët shqiptarë që të shkojnë të votojnë.
Klajda që do të jetë në Qarkun e Tiranës, jo vetëm që ka eksperiencën, por ka edhe maturinë, edhe sharmin politik për të punuar më shumë me gratë, me vajzat. Ndaj mendoj që angazhimi i saj dhe i shumë grave e vajzave të tjera që ne kemi në LSI është i jashtëzakonshëm dhe kjo na bën ne që të ndihemi më pranë familjeve shqiptare.
Edhe në këto kushte pandemie, në këto kushte shtetrrethimi gratë janë ato që depërtojnë aty ku nuk depërton as dielli.
Formalizimi i ekonomisë në Shqipëri është i domosdoshëm, sepse ne hyjmë tek vendet, që këtë informalitet ekonomik e kemi para, të cilën shqiptarët e paguajnë të tërë. E paguan ai që merr ndihmë ekonomike, e paguan hallexhiu, e paguan ai që të lustron këpucët, e paguan çdokush, por nuk e paguan vetëm ai oligarku, i cili e grabit dhe nuk e dorëzon TVSH-në në shitje. E paguan në hyrje me mallrat e importit dhe nuk e paguan pastaj në TVSH, që janë me miliona e me miliarda.
Sipas statistikave të raportit të CIA-s, është shumë e thjeshtë, 5 miliard është i gjithë GDP-ja e Shqipërisë, 50 për qind e të cilës është informalitet, që do të thotë që gati 1.5 miliard euro i vidhen buxhetit të shtetit nga oligarkët, të cilët i fusin në xhepat e tyre dhe ne krijojmë polici pas policie për të gjobitur kë? Për të gjobitur atë dyqanin e lagjes, për të gjobitur atë kafen e lagjes, atë që shet speca e domate në rrugë e kështu me radhë dhe asnjë nuk e vret mendjen për ta formalizuar ekonominë shqiptare, sepse një ekonomi e formalizuar jep shanse për të rritur pagat e shqiptarëve, për të investuar, për të rritur pensionet.
Pasi sot është e tmerrshme që piramida e pensioneve është kthyer kokëposhtë, për shkak të mungesës së vendeve të punës, për shkak të mungesës së punës së mirë paguar, për shkak të mungesës së kontributeve dhe sot një pensionist me pensionin që merr nuk arrin dot të paguajë jo vetëm dritat dhe ujin, apo të ushqehet, por as ilaçet me të cilat duhet të jetojë. Aq më tepër pastaj po të hyjë COVID-i, nuk bëhet më fjalë për të parë nipër e mbesa, nuk bëhet fjalë për të lëvizur, nuk bëhet më fjalë për të pushuar dhe për të jetuar të lumtur ato ditë që ia ka falur Zoti.
Kemi gjithashtu edhe programin ‘Nga bebja në bebe’, ku të gjitha ne jemi nëna dhe kemi hallin se ç’do bëhet me fëmijët tanë, të cilët duan të ikin. Pse duan të ikin? Duan të ikin sepse këtu nuk ndihen të sigurt, sepse thotë që nuk ka një punë të mirë paguar dhe mendon se si do të ndërtojë ai një familje këtu, ku nuk ka ndonjë mundësi për të jetuar.
Por, nëse ne u themi të rinjve që me programin tonë ‘Nga bebja në bebe’, në qoftë se ai do të lindë një fëmijë dhe kur ai të krijojë familje do të ketë 25 mijë dollarë nga bashkëshortja dhe 25 mijë të tjera do ti ketë të vetat, ai ka një buxhet me të cilin mund të fillojë jetën nga fillimi. Kjo është një ndihmë për rritjen e numrit të lindjeve në Shqipëri, sepse për herë të parë këtë vit ne kemi më shumë vdekje sesa lindje, gjë që nuk ka ndodhur që pas Luftës së Dytë Botërore.
Pra, ne po fillojmë po plakemi me ritme shumë të shpejta dhe dëgjojmë edhe pafytyrësinë e Kryeministrit që thotë: Le të ikin shqiptarët, le të punojnë jashtë shtetit. Po pse të punojnë jashtë shtetit me paga minimale dhe të mos punojnë me paga maksimale në Shqipëri? Në këtë vend të mrekullueshëm me det, me liqen, me mal, me laguna, me histori, me trashëgimi kulturore. Pse të mos jetojnë këtu pranë familjeve të tyre? Pse? Sepse do një kryeministër të përfitojë për veten e vet, dhe do të gënjejë dhe të mashtrojë. Një njeri që nuk ka mbajtur premtimet e tij për tetë vjet, pse duhet ti mbajë tani premtimet? Një njeri i paaftë për të garantuar sigurinë, një njeri i paaftë ti japë garanci njerëzve për pronën, pse qenka i aftë tani, kur në tetë vjet s’ka bërë asgjë?
Dua të falënderoj Klajdën, e cila i krijoi hapësirën dhe i hapi rrugën Shqipërisë për të marrë statusin kandidat për negociatat. Kur e ka lënë Klajda nuk kishim asnjë kusht për hapjen e negociatave dhe që nga dita që ka ikur Klajda si ministre e Integrimit Evropian, sot kemi 15 kushte, madje kanë për tu shtuar të tjerë.
Për ne si LSI integrimi evropian është shumë i rëndësishëm, sepse ne ndihemi evropianë dhe jemi popull evropian. Jemi populli më i vjetër ne Evropë dhe si të tillë, për ne është shumë i rëndësishëm procesi i integrimit evropian.
Ky njeri, që në katër vite i kishte gjërat vetë, nuk bëri gjë tjetër veçse rriti taksat, mbylli vende pune, rriti kostot e jetesës për shqiptarët, nuk i rriti pagat e shqiptarëve. Përkundrazi, u rrit çmimi i energjisë elektrike, u rritën taksat, u rrit uji, u rrit çmimi i naftës, çmimi i bukës, u rrit çdo gjë, vetëm pagat e shqiptarëve nuk u rritën. U rritën pensionet me 1 mijë e 700 lekë të vjetra. Çfarë mund të bëjë një pensionist me 1 mijë e 700 lekë më shumë? Kështu që, kjo është arsyeja që ne më 25 prill ju ftojmë të shkoni të votoni.
Ne jemi një forcë politike që e mbajmë fjalën. Në programin tonë ne kemi 5 pika, të cilat e kanë koston zero në buxhetin e shtetit. Janë angazhime të cilët i heqin paratë nga xhepat e burokratëve shtetërorë dhe oligarkëve dhe i çojnë paratë në xhepat e shqiptarëve. Dhe ne mendojmë që këto janë shumë të mundshme për tu realizuar. Për ne është më e rëndësishme që të ndihen më mirë 3 milionë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe le të ndihen si të gjithë shqiptarët e tjerë 3 oligarkë, apo drejtorë, apo 3 ministra.
Jam e bindur që të gjitha kompanitë janë të gatshme të paguajnë taksën e arsimit (taksën e të ardhmes) 1 për qind, në mënyrë të tillë që ata të kenë profesionistë më të kualifikuar, më të shkolluar dhe të gjithë nxënësit dhe studentët shqiptarë të kenë diploma të cilat konkurrojnë më tregun e punës, konkurrojnë me rajonin.
Parkimi në Tiranë për shembull, a ka njeri që të bëjë transparencë dhe të tregojë se ku shkojnë këto para që ne paguajmë për parkimin, që paguhet edhe brenda lagjeve nga qytetarët e Tiranës. Asnjëri nuk ka asnjë lloj transparence. A ka njeri që të bëjë transparencë dhe të tregojë se sa para nga taksat e shqiptarëve harxhohen për të blerë media, për të blerë kohë televizive apo sponsor në Facebook-un apo në rrjetet sociale të kryetarit të Bashkisë? Asnjëri nuk thotë të vërtetën.
Ne paguajmë sot faturën më të lartë të ujit në rajon. A kanë ujë shqiptarët sot 24 orë? Përkundrazi, nuk kanë fare. E pra ka ardhur kohë që këtë paketë që ka mashtruar shqiptarët, këtë paketë e cila ka qenë fiktive ta ndëshkojmë me votë më 25 prill.
T’ia japim votën asaj force politike, e cila i qëndron pranë njerëzve, bën për ta, e mban fjalën dhe iu përgjigjet atyre, aq më tepër të rinjve dhe të rejave. Dhe ne kërkojmë forcën dhe angazhimin e të gjitha grave që të shkojmë dhe të votojmë më 25 prill, të votojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, të fëmijëve të shqiptarëve, të votojmë për të ardhmen e vendit tonë. Vend më të bukur se ky nuk ka.
Unë e di se Gjermania dhe Skandinavia hyjnë në vendet më të mira sot përsa i përket standardit të jetesës, por kohën si ne nuk e ka asnjë prej tyre. Hajde ta bëjmë Shqipërinë Zvicër, se është Zvicra pa det dhe ka vetëm një qeveri që e drejton mirë. Hajde ta bëjmë Shqipërinë Danimarkë, që ka klimë shumë të ftohtë dhe nuk prodhon dot një gjethe sallatë, dhe mjafton të shkosh në zonat e Shqipërisë dhe të shikosh që prodhohen sallata pa fund, të cilat kanë çmime të jashtëzakonshme, por që shteti nuk u garanton shitjen.
Le të jetojmë në Shqipëri dhe ta kthejmë ashtu siç ka qenë, në një vend me begati të jashtëzakonshme përsa i përket bujqësisë, agro-përpunimit, turizmit, të cilat nuk mund ta kesh po nuk pate drita, po nuk pate ujë, po nuk pate rrugë. Ju e patë se si u shemb rruga e atij oligarkut që e puthi në ballë, ai që ka marrë paratë pa fund dhe sot ku është? Sot i shemben rrugët dhe në rrugët që shemben, do të shembet edhe vetë Edi Rama me kështjellën e tij të Rilindjes.
Ndaj angazhimi juaj do të jetë një fitore e madhe për ne. Sepse vota e një gruaje dhe e një burri janë të barabarta në kutinë e votimit, por fuqia dhe forca e një gruaje me votën e saj është shumë më e madhe.” – tha Kryemadhi.
Diskutime rreth kësaj post