Ditët me stuhi, dëborë dhe ngrica në 2 javët e mbetura të muajit shkurt do ja lënë vendin një moti kryesisht të qëndrueshëm, ku nuk pritet që të ketë reshje të dendura, me shira të dobët në bregdet dhe zonat e ulëta por sërish disa cm dëborë në zonat malore. Sipas parashikimit të Meteoalb, këto masa ajrore të ftohta dhe të thata do të jenë prezente deri në ditët e para të marsit.
“Gjysma e dytë e muajit shkurt paraqitet kryesisht me kthjellime ndërsa nuk priten reshje të dendura deri në fund të tij. Pritet që reshjet të shfaqen fundjavën që vjen, shira të dobët në bregdet dhe zonat e ulëta por sërisht disa cm dëborë në zonat malore priten. Pas fundjavës, moti në gjithë territorin shqiptar do të jetë kryesisht i qëndrueshëm; deri nga fundi i këtij muaji priten më shumë kthjellime dhe më pak vranësira që do të sjellin reshje të pakta dhe në zona të izoluara të vendit.
Temperaturat e ajrit mbeten të ulëta deri nga mesjava kur pritet rritje e vlerave termike me 2-3°C duke bërë që tabloja termike të ngjitet në vlerat normale të muajit shkurt duke shënuar minimume deri -6°C në zonat e thella malore ndërsa maksimumet në këto zona, ngjiten në 10°C.
Akoma më e ndjeshme parashikohet rritja e vlerave termike në bregdet dhe zonat e ulëta ku mëngjeset pritet të shënojnë 5 – 9°C ndërsa orët e mesditës do të ngjisin termometrin maksimal mbi 15°C. Megjithëse reshjet e konsiderueshme janë larguar për këtë muaj nga Shqipëria, tabloja termike do të mbetet e paqëndrueshme për gjysmën e dytë të shkurtit pasi herë pas here, do të ketë depërtim të masa ajrore të ftohta nga verilindja e Europës drejt gadishullit Ballkanik. Këto masa ajrore të ftohta dhe të thata do të jenë prezente edhe ditët e para të marsit por nuk do të kenë lagështirë të mjaftueshme për të prodhuar reshje të konsiderueshme në territorin shqiptar”, sipas Meteoalb.
Diskutime rreth kësaj post