Ndërsa na ndajnë më pak se 3 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kryetari i PD, Lulzim Basha vijon të shtojë ankthin tek disa nga aleatët e tij, për shkak se nuk e ka zbuluar ende nëse do t’i fusë në listat e PD apo jo. Deri më tani është zbuluar se Partia Demokratike ka arritur një marrëveshje në parim vetëm me Partinë Agrare Ambientaliste, Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar dhe Partinë Demokristiane, krerët e të cilave pritet të kandidojnë për deputetë, duke hyrë në listat fituese të demokratëve, ndërsa nuk ka ende “tym të bardhë” nga negociatat me Partinë Republikane dhe Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Gazeta foli me kreun e PR, Fatmir Mediu, i cili është takuar në fillim të javës me kryedemokratin Lulzim Basha, ndërsa zbuloi se nuk ka arritur ende asnjë marrëveshje me të. Mediu u shpreh se janë në negociata, ndërkohë që i dërgoi edhe një mesazh shefit të selisë blu. Sipas kryerepublikanit Mediu, kryedemokrati Basha duhet të vlerësoj peshën elektorale të çdo partie.
“Partia Republikane kërkon që të jetë kontributore në koalicionin opozitar, që të gjitha votat e partisë që unë drejtoj të vijnë në favor të koalicionit, i cili është një koalicion me një program qeverisës të përbashkët dhe kandidatura që do të sjellin votat maksimale. Nuk duhet që t’i ndajmë kandidaturat të kujt partie janë, por janë kandidatura të të njëjtit koalicion. PR ka peshën e vetë elektorale dhe në bazë të peshës elektorale duhet të përcaktohet qarku apo vendi brenda qarkut ku duhet të kandidojë Partia Republikane. Pra, ne nuk kërkojmë asgjë të garantuar, por kërkojmë të konkurrojmë në favor të opozitës dhe mbështetjes kryesisht të Partisë Demokratike”, deklaroi gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, kreu i PR, Fatmir Mediu.
Idrizi në panik nga ikja e militantëve. Por mungesa e dakordësisë dhe mos arritja e paktit mes Partisë Demokratike dhe dy partive të tjera aleate të kampit opozitar, Partisë Republikane dhe Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, sa i takon strategjisë se si do të hyhet në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, nuk është i vetmi shqetësim që po shqetëson këto dy parti.
Gazeta ka mësuar se PDIU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, është përfshirë nga një “hemorragji”, ku shumë militantë po largohen nga kjo parti, duke iu bashkuar partive të tjera, veçanërisht Partisë Socialiste. Kjo ka bërë që çami Idrizi të përfshihet nga paniku, pasi në rast se Basha i mbyll derën e bashkëpunimit dhe me ikjen e militantëve, kjo parti rrezikon të shkrihet.
Madje një alarm të kësaj natyre e ka dhënë edhe vetë zoti Idrizi gjatë një prononcimi për mediat ditën e djeshme, kur zbuloi se në terren njerëzit e PDIU-së po intimidohen. “Ka një sulm direkt nga “Tiret” e “shportës së fiqve”, por edhe në qarqe të tjera, për të intimiduar dhe kërcënuar simpatizantët e PDIU-së. Ka raste kur bëjmë takime në një zonë të Tiranës mundohemi të mos i shfaqim, pasi sa mbaron takimi merr “shporta e fiqve apo qershive”, i kërcënon, afron, i josh”, deklaroi Idrizi.
Ndërkohë edhe sekretarja e Përgjithshme e PDIU, Mesila Doda përmes një statusi në rrjetet sociale, zbuloi se shumë anëtarë të PDIU po kërcënohen që të braktisin këtë parti.
“Për të disatën herë po vijnë deklarimet e anëtarëve të PDIU për kërcënime me pushime nga puna nëse vazhdojnë të mbështesin opozitën. Do marrim të gjitha masat që cilido që kërcënon mbështetësit e opozitës të demaskohet publikisht dhe të mbajë përgjegjësinë para ligjit për presion në fushatë zgjedhore dhe tentativën e ndryshimit të vullnetit të popullit. Ftoj cilindo opozitar që ka presione të këtij lloji të na kontaktojë dhe ne marrim përsipër që të mbrojmë publikisht të drejtën e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe kallëzimin në strukturat e SPAK për cilindo që guxon të kërcënojë mbështetësit tanë”, shkruan Doda.
Diskutime rreth kësaj post