Presidenti Ilir Meta në një prononcim për mediat nga Vlora, u shpreh sot se është detyrë e tij t’iu kujtojë shqiptarëve se fuqia e tyre e vërtetë është vota, duke e cilësuar 25 prillin një ditë të jashtëzakonshme.
Meta theksoi se askush nuk mund të ankohet për demokraci në rast se nuk e shpreh vullnetin e tij në mënyrë të lirë.
“Nuk jam këtu për t’u marrë me hallet që ka maxhoranca pasi ato nuk i zgjidh dot unë. Por jam këtu për të kontribuuar në këtë fushatë për dhurimin e gjakut për të gjithë fëmijët që vuajnë nga talasemia dhe gjithë të tjerët që e kanë të domosdoshme. Së dyti, unë jam në këtë detyrë për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur pluralizmin politik që është në themel të kushtetutës sonë dhe për të mbrojtur zgjedhjet e lira dhe të ndershme që janë edhe në themel të pluralizmit dhe vetë Kushtetutës.
Kështu që kush ka shqetësim nga angazhimi im që t’u kujtoj qytetarëve shqiptarë se fuqia e vërtetë e tyre është vota e tyre, se dinjiteti dhe e ardhmja e tyre është vota e tyre, se përgjegjshmëria ndaj fëmijëve të tyre është vota e tyre dhe askush nuk mund të ankohet për demokraci dhe nga qeveria në rast se nuk merr pjesë në zgjedhje dhe në rast se nuk e shpreh vullnetin e tij në mënyrë të lirë dhe demokratike, larg çdo presioni dhe çdo forme intimidimi. Kjo është detyra ime, unë do ta bëj këtë detyrë me bindje të plotë, aq më tepër që jam këtu në Vlorë, në vendin e lirisë, të pavarësisë dhe sovranitetit. Jam i sigurt se dhe 25 prilli do të jetë një ditë e rëndësishme, e jashtëzakonshme e afirmimit të lirisë, pavarësisë dhe të sovranitetit”, deklaroi Presidenti Meta.
Diskutime rreth kësaj post