Përndryshe nga sa deklaroi në Tiranë kryeministri Edi Rama, në Itali jo vetëm që ka një hetim por dosja e lidhjeve të Ndrangheta me vendin tonë është legjitimuar edhe nga Gjykata e Katanxaros.
Krahas hetimit penal, gjykata ka vendosur sekuestrimin e 59 kompanive, 45 mjete nga të cilat 29 makina, 77 llogari rrjedhëse, 24 karta krediti rimbushëse, 1 lingotë ari, 1 orë rolex dhe një skaf të tipit Invictus.
Autoritetet italiane kanë verifikuar 1800 llogari bankare ku janë xhiruar 250 milionë euro. Për të njëjtën çështje SPAK vendosi që të nisë hetimet.
Diçka e tillë u konfirmua dhe nga takimi që drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja pati në Itali me kreu e antimafias Italiane Federico Cafiero de Raho. Hetuesve të SPAK do t’u vihen në dispozicion dosjet e plota ku përfshihen dhe shqiptarët.
Sipas marrëveshjes mes SPAK dhe antimafias italiane, nuk ka nevojë për letër-porosi për marrjen e dokumentacionit.
Nga bisedat e përgjuara del se mafia italiane kishte dërguar biznesmenin Antonio Gallo në vendin tonë që të futet në tendera për ngritje biznesesh nëpërmjet të cilave do të bëhej dhe pastrimi i parave. Përgjimet shkaktuan zhurmë të madhe në vend si nga ana e opozitës dhe nga mazhoranca por të dy prokuroritë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm ndërsa çështja tani ka marrë drejtim dhe me nisjen e hetimit kryesisht nga ana e SPAK.
Diskutime rreth kësaj post