Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar dje 10 partitë e para për t’u regjistruar si subjekte në zgjedhjet e 25 prillit. Ashtu siç u bë e ditur një ditë më parë kreu i çamëve Shpëtim Idrizi ka vendosur të regjistrojë PDIU si subjekt më vete në zgjedhje, duke i bërë presion të hapur kreut të PD, Lulzim Basha. Sot pritet të ketë një takim mes tij dhe liderit demokrat, ku do të vendoset nëse Idrizi do të jetë kandidat në listat e PD. Duke qenë se Basha është shumë skeptik për koalicion me PDIU, Idrizi ka nxituar të shkojë në KQZ për t’u regjistruar si subjekt më vete.Regjistrohen Topalli, Murrizi dhe Patozi.
Përveç Idrizit, në KQZ janë regjistruar dhe 9 parti të tjera. Edhe pse u fol se Jozefina Topalli me partinë Lëvizja për Ndryshim, Myslim Murrizi me Partinë Lëvizja Demokratike Shqiptare dhe Astrit Patozi me partinë Bindja Demokratike do dilnin me listë të përbashkët ato kanë qenë të parat që kërkuan regjistrimin si subjekte politike. Në njoftimin e bërë nga KQZ thuhet se janë regjistruar si subjekte zgjedhore për zgjedhjet për Kuvend, 10 parti politike si edhe 2 komitete nismëtare.
“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvilloi seancë publike në mbështetje të paragrafit 2 nenit 19, dhe shkronjës “n”, paragrafi 1, të nenit 19, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, për shqyrtimin dhe miratimin e akteve në kompetencë të tij. Komisioneri shqyrtoi projektvendimet për shqyrtimin e kërkesave për regjistrim si subjekte zgjedhore për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021, të 10 partive politike. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Komisioneri vendosi të regjistrojë si subjekte zgjedhore partitë politike: Partia Lëvizja për Ndryshim; Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare; Partia Ora e Shqipërisë; Partia Aleanca Demokratike Shqiptare; Partia Bindja Demokratike; Partia Lëvizja e Legalitetit; Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet; Partia Balli Kombëtar; Partia Emigracioni Shqiptar; Partia Reformave Demokratike e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Partitë më të mëdha politike në vend si Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ende nuk janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Afati i fundit është deri në 14 shkurt. Sipas afateve në Kod, data e fundit për regjistrimin e partive është 14 shkurti, ndërsa 24 shkurti afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve. Këto afate mbyllen më datën 6 mars, ku në KQZ duhet të jenë depozituar edhe kandidatët e 25 prillit. Krahas kësaj, në tryezën e KQZ do të jenë edhe kërkesat për regjistrimin e komiteteve nismëtare për mbledhjen e firmave për futjen në garën e 25 prillit kandidatët Pal Shkambi në qarkun e Shkodrës dhe Plaren Aleksi në qarkun e Beratit.
Aleksi ka kandiduar si i pavarur edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2019 në Bashkinë e Beratit përballë Ervin Demos të PS. Pal Shkambi, nga ana e tij, kandidon për të disatën herë në zgjedhje. Në vitin 2013, nën logon e Partisë Popullore Kristiandemokrate Shqiptare, e cila më shumë se sa për numrin e votave që mori, u mbajt mend për gjobën që i vendosi KQZ për mos respektimin e kuotës gjinore, pasi kishte diskriminuar burrat. Pavarësisht angazhimit në politikë, ai arrit të zgjidhej si anëtar zëvendësues në KPA në vitin 2017, por që nuk e ushtroi asnjëherë këtë funksion.
Diskutime rreth kësaj post