Presidentët amerikanë e bëjnë të qartë brenda muajve të parë se çfarë politike të jashtme do të ndjekin. Por nëse presidenti i ri amerikan Joe Biden dëshiron që të rregullojë marrëdhëniet me Turqinë, ai do të duhet t`a bëjë këtë jo vetëm për SHBA-në, por për të gjithë komunitetin transatlantik.
Gjatë dekadës që kaloi, marrëdhëniet e Ankarasë me aleatët e saj tradicionalë në Perëndim kanë qenë aq shumë të tensionuara, sa që një divorc nga familja e kombeve perëndimore nuk dukej si një skenar jorealist. Kjo ishte pasojë e keq-menaxhimit të ngritjes rajonale dhe globale të Turqisë nga ana e qeverisë së saj, por edhe e sjelljes së gabuar të Perëndimit.
Gjatë kësaj periudhe,Turqia ka fituar shumë në fuqinë e saj si shtet. Me të ardhura kombëtare afro 800 miliardë dollarë, ajo është një vend i G20-ës. Ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, ndërsa industria e saj e mbrojtjes që është në zhvillim të shpejtë, po projekton fuqinë përtej kufijve të saj.
Rrjeti i gjerë i misioneve diplomatike është i gjashti në botë për nga madhësia, pak më i madh se ai i Gjermanisë. Dhe Turqia renditet aktualisht e para në botë për sa i përket ndihmës humanitare ndaj refugjatëve sirianë, me programe të ngjashme të konsiderueshme edhe në vendet e dërrmuara nga lufta si Afganistani dhe Somalia.
Por nga ana tjetër, Turqia është dëmtuar jo pak nga paaftësia e presidentit të saj Rexhep Tajip Erdogan për t’a shprehur këtë rritje përmes një retorike konsensuale dhe diplomatike. Përkundrazi, ai e ka shfrytëzuar rritjen e pushtetit shtetëror për qëllime politike të brendshme.
Zoti Erdogan e ka kombinuar këtë me retorikën luftarake, duke ushqyer pretendimet se Turqia është një vend i rrethuar nga ata që nuk dëshirojnë të njohin përparimin e saj paqësor. Degradimi i sundimit të ligjit në vend, ka acaruar akoma më tej raportet e Turqisë me Perëndimin.
Reagimi i partnerëve perëndimorë të Turqisë ndaj ashpërsimit të diskursit të Ankarasë, i është shtuar distancimit të vendit nga aleatët e tij tradicionalë. Me ngecjen e procesit të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian, Brukseli ka humbur çdo lloj ndikimi në politikë-bërjen turke.
Ndërkohë, vetë Uashingtoni ndikoi në dëmtimin e marrëdhënieve të tij me Ankaranë, pas vendimit të tij për të luftuar kundër ISIS në partneritet me partinë Unioni Demokratik Kurd në Siri (PYD). Kësisoj,edhe pse sot Turqia vijon te jetë një vend anëtar i NATO-s,ajo po vuan aktualisht pasojat e sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së.
Dhjetorin e vitit të kaluar, administrata Trump evokoi Aktin e Kundërvënies ndaj Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve, për të shënjestruar agjencinë turke të mbrojtjes, për shkak të blerjes nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400.
Në të njëjtën javë, Brukseli nisi të shqyrtonte mundësinë e vendosjes së sanksioneve shtesë kundër Turqisë për shkak të ndërhyrjes së saj në Mesdheun lindor.
Në këto rrethana, mënyra e vetme që administrata e Joe Biden të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me Turqinë, është një marrëveshje e madhe me zotin Erdogan. Dështimi për të siguruar një të tillë, mbart rrezikun real të një përçarje të përhershme në orientimin perëndimor të Turqisë, dhe një rirreshtim strategjik të Ankarasë me Moskën.
Fatmirësisht, axhenda e politikës së jashtme e presidentit të ri amerikan, ka shumë përputhje me interesat e Ankarasë. Një ripërtëritje e raporteve SHBA-Turqi, do të ndihmonte forcimin e NATO-s. Edhe angazhimi i ri me Iranin, do të krijonte rrugë të reja bashkëpunimi me Ankaranë. Stabilizimi i Libisë, për të parandaluar depërtimin e mëtejshëm në rajon të rusëve, është gjithashtu një objektiv i përbashkët.
Por arritja e një marrëveshje të madhe midis Ankarasë dhe Uashingtonit ka shumë pengesa përpara. Së pari, që të dyja palët do të duhet të lëshojnë nga qëndrimet e tyre aktuale. Çdo skemë e mundshme drejt një normalizimi të marrëdhënieve do të kërkonte të paktën një rivlerësim të mbështetjes së SHBA-së për kurdët në Siri; një marrëveshje mbi kushtet e funksionimit të sistemit raketor rus S-400; një heqjen e menjëhershme të sanksioneve të SHBA-së; dhe rikthimin e Turqisë në programin e prodhimit të avionëve luftarakë amerikanë F-35.
Gjithashtu, Turqisë duhet t’i sigurohet një rol në negociatat e ardhshme me Iranin, të ketë një mbështetje aktive amerikane për përmirësimin e marrëdhënieve BE-Turqi, dhe një angazhim të qartë nga udhëheqja turke për të ndaluar nxitjen e anti-amerikanizmit dhe skepticizmit ndaj Perëndimit në vend.
Kjo listë mund të duket tepër ambicioze. Por ajo duket modeste në krahasim me shkallën e përgjegjësisë me të cilën përballen aktualisht presidentët e SHBA-së dhe Turqisë. Në lojë është vendi i Turqisë në botën e gjerë, dhe e ardhmja e rendit rajonal.
Diskutime rreth kësaj post