Për herë të parë në vitin 2020 numri i vdekjeve e kaloi numrin e lindjeve, duke shënuar një sinjal alarmi për plakjen dhe tkurrjen e popullsisë.
Politikat sociale duket se nuk e kanë frenuar shpopullimin, fenomen ky që do te shërbejë edhe si kartë elektorale në zgjedhjet e këtij viti.
Gjatë vitit që lamë pas, në vend u regjistruan rreth 27,600 lindje, ndërsa humbën jetën 28,026 persona.
Të dhënat janë nga Drejtoria e Gjendjes Civile, ndërsa në statistikë viti 2020 shënoi nivelin më të ulët të shtesës natyrore të popullsisë që nga viti 1948.
Arsyeja kryesore e rritjes së vdekshmërisë i atribuohet virusit COVID-19, ndërsa rënia vit pas viti e numrit të lindjeve, është një plagë e hapur prej kohësh që lidhet nga faktorë socialë si, pasiguria për të ardhmen, ekonomia e papërballueshme etj.
Qeveria ka rritur së fundmi çekun e bebes nga 40 deri në 120 mijë lekë, por kjo strategji, veçmas, duket se nuk ka dhënë rezultat.
Ndërkohë, partitë në opozitë po angazhohen me programe sociale, me të cilat synojnë të ndalin shpopullimin. Kështu PD-ja premton tre mijë lekë në muaj për çdo fëmijë dhe subvencionim të kredive për blerje apartamenti për familjet e reja.
Ndërkohë LSI-ja deklaron se për çdo fëmijë që lind të ofrojë garanci prej një mijë dollarësh dhe kur ai të krijojë familje, pas 25 apo 30 vitesh, të këtë në llogari 25 mijë dollarë.
Diskutime rreth kësaj post