Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka dhënë dje një mesazh të fortë për prokurorët në varësi të tij. Ditën e djeshme u mbajt Mbledhja e Prokurorëve për të zgjedhur anëtarin e ri në KLP ku në fund fituese doli prokurorja e Beratit, Eloida Goxhaj. Në nisje të votimit kryeprokurori Çela mbajti një fjalim të gjatë para të pranishmëve ku kërkoi më shumë bashkëpunim dhe efikasitet për hetimet.
“Ky është një vit zgjedhor dhe nisur nga përvoja e viteve të mëparshme, ka nevojë për një angazhim serioz të gjitha prokurorive, të cilat duhet të nisin të marrin masa përgatitore për t’iu përgjigjur në kohë nevojave që do të lindin për hetimin e veprave penale në këtë fushë. Nga ju kërkohet një nivel i lartë profesionalizmi dhe integriteti. Ndryshimet e fundit ligjore imponojnë vëmendjen maksimale të drejtuesve të prokurorive në këtë drejtim dhe sigurimi i kapaciteteve e shkëmbimi në kohë i informacionit mbeten thelbësorë për kryerjen si duhet të funksionit tonë gjatë procesit zgjedhor”, – tha Çela.
Prokurori i Përgjithshëm foli dhe për forcimin e marrëdhënieve me organet e drejtësisë duke iu referuar kështu SPAK-ut. Çela u shpreh se forcimi i marrëdhënieve mbetet kryesor në luftën ndaj të korruptuarve dhe krimit të organizuar. Sipas tij prokurorët duhet të japin gjithë mbështetjen e duhur përmes hetimeve dhe bashkëpunimit.
“Hap pas hapi organet e reja të drejtësisë po marrin formën e tyre. Ne duhet të sigurojmë që veprimtaria e tyre të mbështetet në vlera si integriteti, transparenca, meritokracia dhe llogaridhënia. Forcimi i marrëdhënieve të prokurorive të juridiksionit të zakonshëm me Prokurorinë e Posaçme mbetet thelbësor në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përtej zgjedhjes së kandidatëve që mbartin vlerat më të mira, ka ardhur koha që vetë ju të ndërtoni një marrëdhënie të re me këto institucione, me një qasje dinamike konstante, të bazuar në transparencën dhe llogaridhënien. Zyrat e prokurorive të rretheve gjyqësore t’i japin tërë mbështetjen e duhur asaj, përmes hetimeve profesionale dhe bashkëpunimit të ngushtë”, u shpreh Prokurori i Përgjithshëm.
Apeli i Çelës
Çela u bëri thirrje gjithë prokurorëve të bëjnë kujdes dhe të mos harrojnë se qytetarët presin nga ata një shërbim te profesionalizuar. Ai u shpreh se është sfidë për t’u rikthyer qytetarëve besimin tek drejtësia. Sipas tij duke punuar me përgjegjshmëri dhe integritet, do t’i jepet figurës së prokurorit dinjiteti që i ka humbur.
“Përtej problemeve që ngrita, nuk duhet të harrojmë asnjëherë se qytetarët nuk kanë nevojë të dëgjojnë shqetësimet tona, përkundrazi, ata presin nga prokurorët që t’i shërbejnë me profesionalizëm dhe përkushtim mbrojtjes së interesit publik. Ne kemi sot të gjitha garancitë ligjore për karrierën ndërkohë që mbështetja e konsiderueshme financiare për magjistratët është një sakrificë që shoqëria po bën në emër të sigurimit të drejtësisë, ndaj askush prej nesh nuk duhet të ri zhgënjejë qytetarët e këtij vendi. Kjo është sfida jonë dhe ne kemi detyrimin t’u rikthejmë qytetarëve besimin tek drejtësia, përmes kryerjes me përgjegjshmëri dhe integritet të funksioneve ligjore e kushtetuese, duke i dhënë në këtë mënyrë dinjitetin e humbur figurës së prokurorit”, tha Çela.
Diskutime rreth kësaj post