Avokat Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ka dalë me një reagim të fortë në lidhje me ato që po ndodhin e pritet të ndodhin në këtë vend, pas protestave të 6 janarit. Përmes një analize të hollë në rrjetet sociale, avokat Ngjela deklaroi ditën e djeshme me bindje se më 6 janar Rusia provokoi një grusht-shteti në SHBA, referuar protestave anti-Biden të organizuar nga presidenti në ikje, Donald Trump, ku shumë protestues mësynë në ambientet e Kongresit Amerikan. Sipas Ngjelës pas këtyre zhvillimeve fshihet Rusia, e cila po përpiqet që ta shfrytëzojë këtë situatë.
“Pasi i ndoqën me ethe zgjedhjet e vitit 1932, nazistët u revoltuan kundër zgjedhjes si president të Franklin Delano Roosevelt në këtë vit. Por, gjatë inaugurimit të presidentit Roosvelt, në janar të vitit 1933, grupet naziste kërkuan që, me një plan të strukturuar, të rrëzonin qeverinë amerikane me një grusht shteti. Grushti i shtetit u shkatërrua plotësisht. Por, historia përsëriti vetveten, sepse në janar të këtij viti, Donald Trump, me ndihmën e tiranit të Rusisë, Vladimir Putin, me një lëvizje të tipit neonazist, në 6 janar 2021, bëri grusht shteti për të rrëzuar qeverinë e ligjshme amerikane të Joe Biden-it, njëlloj si nazistët amerikanë të vitit 1933. Kryengritja u shkatërrua para Kongresit Amerikan”, shkruan ai.
Më tej avokat Spartak Ngjela hodhi akuza të forta në adresë të presidentit Trump, ndërsa theksoi se Moska ta harrojë se do të rrëzojë Uashingtonin.
“Gjithsesi, tani gjithçka po shkon drejt shkatërrimit të grusht-shtetit të datës 6 janar 2021. Por, ajo që duhet përmendur është fakti që, kryengritja e 6 janarit, nuk ka më forcë dhe grushti i shtetit që mendonte avancim nga liderët e tij, në favor të Trump-it, me rastin e inaugurimit të presidencës Biden në 20 janar të këtij viti, po duket i vdekur. Tani çështja është në senat për t ‘u gjykuar në lidhje me akuzën që i është bërë Trump-it për nxitës të kryengritjes në 6 janar 2021. Dhe kjo kuptohet se e ka paralizuar çdo plan çmendurie që kërkon të vendosë në Uashingtoni një president të pavotuar. Amerika e mposhti edhe grusht-shtetin e dytë historik, në ecurinë demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, nënvizoi avokat Spartak Ngjela.
Diskutime rreth kësaj post