Të tri kandidatët për kryetar të CDU-së kanë shanse të përafërta për të fituar. Në Barometrin Politik, që publikoi sot (15.01.) televizioni ZDF, kanë pak a shumë të njëjtën mbështetje 65 vjeçari Friedrich Merz, ish-kryetar i grupit parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, me 28 përqind; 59 vjeçari Armin Laschet, kryeministër i Renanisë Veriore-Vestfalisë, me 28 përqind; dhe 55 vjeçari Norbert Röttgen, kryetar i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut Gjerman, me 24 përqind.
Në bazë të këtyre të dhënave, asnjëri nga kandidatët për kryetar të ri të CDU-së nuk arrin 50 përqind. Kështu që kryetari pritet të vendoset në zgjedhje balotazhi. Votimi për këtë në kongresin e parë virtual të CDU-së, që nisi sot, bëhet të shtunën (16.01.) në mëngjes.
Por sondazhet në popull na tregojnë pak për fituesin. Pasi kryetarin e partisë Bashkimi Kristjandemokrat Gjerman, CDU e zgjedh jo populli, por delegatët në kongresin e partisë. 1001 delegatët janë drejtues të nivelit të mesëm, funksionarë partiakë, ministra. Besohet se ata do të zgjedhin atë kandidat që i shërben jo vetëm partisë dhe vendit, por që garanton edhe vazhdimësi për ta.
Establishmenti duket se favorizon Armin Laschetin. Dy kryeministra landesh federale, ai i Hessenit dhe ai i Saksonisë së Poshtme janë shprehur për Armin Laschetin. Organizata e grave e CDU-së mbështet Laschetin dhe Röttgenin. Ndërsa përfaqësues të ekonomisë gjermane dhe organizata e rinisë, e CDU-së, Junge Union mbështet Friedrich Merzin.
Zgjedhjet e CDU-së – të rëndësishme për Gjermaninë.
Këto zgjedhje partiake janë të rëndësishme. Në 26 shtator të këtij viti në Gjermani do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe shanset më të mëdha që t’i fitojë ato i ka CDU-ja, të cilën e mbështesin aktualisht 37 përqind e gjermanëve. Pritet pra të vazhdojë tradita: në 70 vjet Republikë Federale Gjermane, për 50 vjet Gjermania është drejtuar nga CDU-ja.
CDU-ja pasohet në sondazhe nga Të Gjelbrit me 20 përqind dhe Socialdemokratët me 15 përqind. Por meqenëse kancelarja Angela Merkel nuk kandidon më në shtator, pyetja që shtrohet është: a do të kemi një vazhdues të politikave të Merkelit në postin e kryetarit të CDU-së e ndoshta kancelarit, apo një ndarje nga epoka e suksesshme e Merkelit?
Përkatësia konfesionale e kandidatëve nuk duhet mbivlerësuar, megjithatë ajo mund të jetë një tregues për edukimin e një personi. Është interesante, që në dallim nga protestantja Angela Merkel, të tre kandidatët janë katolikë. Të tre vijnë edhe nga landi federal i Renanisë Veriore-Vestfalisë.
Friedrich Merz – kandidati i kthimit në identitet.
Por ndarjen më të fortë nga tradita e ish-kryetares së CDU-së deri në vitin 2018, Angela Merkelit, do ta shënonte Friedrich Merzi. Friedrich Merzi kandidon me synimin që t’i kthejë identitetin politik CDU-së. Një pjesë e CDU-së mendon se zhvendosja majtas drejt qendrës, që i bëri partisë Merkeli, ka ndryshuar identitetin e saj. Prej Merzit pritet një zhvendosje djathtas e partisë, edhe për të rifituar zgjedhësit që CDU-ja i humbi te partia ultra e djathtë, Alternativa për Gjermaninë, AfD.
Por politikanë të CDU-së dhe vëzhgues druhen se me një zhvendosje djathtas të CDU-së, më shumë zgjedhës do të shkojnë tek të Gjelbrit dhe te Socialdemokratët se sa do të kthehen te CDU, nga të djathtët.
Këto zëra në CDU ka gjasa të jenë forcuar, pas shokut në parti për ngjarjet e fundit në SHBA. Atje, zhvendosja nga Donald Trumpi edhe më djathtas e një partie tradicionale si republikanët, e nxorri situatën nga shinat.
Përsa i përket politikës evropiane, Friedrich Merzi kërkon që Gjermania të luajë një rol më të fortë global. “Gjermania duhet të jetë e gatshme të udhëheqë”, ka thënë ai. Merzi është i rezervuar ndaj migrantëve e refugjatëve. Migrantëve në kufirin turko-grek, ai iu drejtua se nuk ka kuptim të vijnë në Gjermani. Ndërsa në një debat në dhjetor, Merzi tha se Gjermania do të kishte sot më pak njerëz që jetojnë me ndihmë sociale, po të mos kishte ndodhur vërshimi i refugjatëve, në vitet 2015-2016.
Merzi ndjek një linjë konservatore, përsa u përket vlerave. Së fundi ai është shprehur me rezerva për homoseksualët. Ndërsa në ekonomi ai ndjek një linjë liberale: është deklaruar për lehtësime taksash për sipërmarrësit e automjeteve dhe për familjet e reja.
Friedrich Merzin, Angela Merkeli e largoi në vitin 2002 nga kryesimi i grupit parlamentar unionist në Bundestag. Prej vitit 2009 Merzi kaloi në poste drejtuese në ekonomi. Në vitin 2018 ai u rikthye në politikë, për të kandiduar për kryesinë e CDU-së, por humbi me diferencë të vogël ndaj kryetares aktuale Annegret Kramp-Karrenbauer. Po të kalojë në balotazh zgjedhja e kryetarit të ri, pritet gjerësisht që njëri prej dy kandidatëve të jetë Merzi.
Armin Lascheti – kandidati i vazhdimësisë.
Armin Laschet, kryeministri i landit më të madh të Gjermanisë, Renanisë Veriore-Vestfalisë, është kandidat i qartë i vazhdimësisë së politikës së Merkelit. “CDU-ja duhet të përvetësojë idenë që 16 vitet kur Merkeli ishte kancelare qenë vite të mira. Dhe që ne i mbështesim politikat e saj”, tha ai së fundi. Ai është njëkohësisht për modernizimin e administratës.
Lascheti shihet si kandidat integrues, që mund të bashkojë krahët e ndryshëm të CDU-së. Por muajt e fundit ai humbi pak mbështetje në popull, pasi një pjesë e njerëzve nuk qenë të kënaqur me menaxhimin që ai i bëri pandemisë.
Megjithatë së fundi, mbështetja në Gjermani për Merkelin ka arritur sërish kuota maksimale. Dhe Lascheti mund të përfitojë nga kjo, si kandidat i vazhdimësisë.
Norbert Röttgeni – kandidati i “përtëritjes”.
Kandidati i tretë, 55 vjeçari Norbert Röttgen vjen me kartën e “përtëritjes”. Ai ka thënë se do ta bëjë CDU-në “më femërore, më të re, më digjitale dhe më politike.” Ai ka bërë një fushatë të sukseshme në mediet sociale, në Spotify dhe ka mobilizuar shumë të rinj.
Röttgeni arriti me aftësi të rrisë shanset e tij si ekspert i politikës së jashtme. Pasi atë e konsideronin pa shanse, që kur humbi zgjedhjet në Renani-Veriore-Vestfali. Dhe që kur Merkeli e largoi si ministër Ambjenti, në vitin 2012.
Röttgeni ka kritikuar Kinën dhe vazhdimin e projektit Nordstream2. Ndërsa procesin e integrimit evropian ai e konsideron të ezauruar. Zhvillimin e Evropës Röttgeni e përfytyron të bëhet mbi bërthamën e bashkëpunimit të shteteve, të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.
A do të jetë kryetari i CDU-së edhe kancelar i Gjermanisë?
Me pak përjashtime, kryetari i CDU-së ka qenë historikisht edhe kancelar i Gjermanisë.
Por teorikisht kancelari mund të vijë edhe nga partia simotër bavareze, CSU. Kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder, e shohin aktualisht si kancelar të aftë 54 përqind e gjermanëve. Ai la përshtypje pozitive në rang kombëtar me menaxhimin e rreptë që i bëri pandemisë në Bavari.
Nëse kryetar i ri i CDU-së zgjidhet Armin Lascheti, mund të diskutohet edhe opsioni i kalimit të kandidatit për kancelar te CSU-ja. Në rastin e Friedrich Merzit kjo përjashtohet.
Megjithatë: në të kaluarën, CDU-ja ia ka lënë kandidaturën e kancelarit CSU-së vetëm kur vetë CDU-ja ka pasur pak shanse për t’i fituar zgjedhjet parlamentare. Dhe shanset për fitore në vjeshtë këtë herë duken të mira.
Diskutime rreth kësaj post