Tirana është penalizuar rëndë nga FIFA, e cila i ka bllokuar klubit bardheblu merkaton, me arsyetimin se nuk ka paguar ish-futbollistin Mokhtar Cise.
Për shumën e papaguar përflitet se është 200 mijë euro, ndërkohë që Tirana në një reagim të vonë dje theksonte se nuk i kishte borxhe askujt dhe se po punonte për të sqaruar dhe zgjidhur çështjen. E vërteta është se në kampin bardheblu ka shumë stres, dëshmuar dhe nga rreshtat e shkruar në njoftimin e vetë klubit. Bllokimi i merkatos do të thotë se Tirana nuk mund të bëjë lëvizjet e dëshiruara dhe në mungesë të lëvizjeve i thuhet “lamtumirë” objektivave për titull. Mbetet të shihen cilët do të jenë hapat që do të ndjekë klubi për ta zgjidhur në favorin e vet këtë çështje.
Sikurse bëhet e ditur, vendimi i FIFA-s për të dënuar Tiranën me bllokimin e merkatos në këtë sesion dimri, ka ardhur për shkak të një detyrimi të papaguar ndaj klubit maroken Uajded, që fitoi gjyqin për futbollistin Moktar Cise, i cili iu bashkua bardhebluve disa vite më parë. Merkato e bardhebluve është bllokuar dhe drejtuesit duhet të paguajnë borxhin ndaj klubit maroken, që ankimoi transferimin e Cise te Tirana, me pretendimin se sulmuesi nga Mali ishte nën kontratë me Uajded Kasablanka. Cise u bashkua me Tiranën në merkaton e verës së 2016-ës, ku qëndroi për një sezon, teksa luajti në 23 ndeshje dhe shënoi 2 gola. Një lajm vërtet shumë i keq ky për tifozët e Tiranës dhe për trajnerin Nevil Dede i cili priste të kishte sa më shpejt nën urdhrat e tij Taulant Seferin dhe Ferhan Hasanin.
Borxhi 200 mijë euro
E gjithë situata e krijuar vjen si pasojë e një borxhi prej 200.000 eurosh ndaj ish-futbollistit, Moktar Sise. Ky i fundit ia ka dalë të fitojë të drejtën e tij nëpërmjet gjyqit duke vendosur bardheblutë me “shpatulla pas murit”. Kështu, në këtë rast ka ndërhyrë FIFA dhe Tirana duhet të paguajë menjëherë shumën që ka detyrim ndaj futbollistit afrikan, e më pas të presë për rihapjen e merkatos. Kujtojmë se Sise iu bashkua kryeqytetasve në vitin 2016, ku u aktivizua për një sezon dhe në 23 ndeshje realizoi vetëm dy gola duke rezultuar një dështim. Ndaj, Tirana vendosi ta largonte mesa duket pa konsensus, teksa lojtari me anë të kontratës që ka pasur ia ka dalë të fitojë të drejtën e tij pas disa viteve.
Reagimi i klubit
Klubi bardheblu reagoi dje me një komunikatë zyrtare, ku mohon të ketë borxhe dhe në lidhje me këtë çështje pretendon se ka qenë thjesht palë e tretë. Por tensioni i situatës duket edhe në rreshtat e shkruara nga klubi. “Klubi i Futbollit Tirana njofton se po punon në zbardhjen e Çështjes së bllokimit të merkatos. Pavarësisht lajmeve që qarkullojnë, theksojmë se nuk bëhet fjalë për asnjë borxh të prapambetur. KF Tirana sqaron se bëhet fjalë për një Çështje në të cilën klubi ka qenë palë e tretë. Ky lajm u bë i ditur ditën e sotme dhe klubi vijon të mbetet në bisedime me zyrtarë të FIFA-s për të zgjidhur këtë çështje. Nënvizojmë se për çdo të re apo përditësim njoftimet do të dalin vetëm nga faqja zyrtare e klubit”, thuhet në njoftimin e Tiranës.
Blerja e Seferit dështon, edhe objektivat e tjerë anulohen
Dënimi nga FIFA, që i bllokoi merkaton, i ka sjellë dëme të mëdha Tiranës dhe shenjat janë dhënë menjëherë. Edhe pse klubi ishte shumë pranë zyrtarizimit të sulmuesit të Kombëtares, Taulant Seferi, ndodhi e papritura, pasi ky vendim i FIFSA-s penalizon çdo lëvizje dhe objektiv të skuadrës bardheblu në treg. Madje kryeqytetasit kishin planifikuar që përveç Seferit të sillnin edhe sulmuesin nga Maqedonia Ferhan Hasanin. Kurse negociatat vijonin për të kthyer në kampionatin shqiptar Sidrit Gurin, i cili siç dihet aktivizohet në Belgjikë me Ostenden. Një mori emrash të tjerë ishin vënë në lupën e klubit bardheblu, për të gjetur elementët më të mirë për pjesën e dytë të sezonit, duke rritur kështu objektivat për mbrojtjen e titullit. Por vendimi i djeshëm i FIFA-s i “vret” ëndrrat” e klubit bardheblu për të afruar yjet në merkaton e këtij dimri.
Diskutime rreth kësaj post