Kreu demokrat Lulzim Basha ka akuzuar dje qeverinë për presione ndaj medias dhe kufizim të fjalës së lirë. Me rastin e 30-vjetorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, Basha ka reaguar në rrjetet sociale, duke thënë se politika gjithmonë ka dominuar mbi median në Shqipëri.
“Historia e 3 dekadave të shtypit të lirë në Shqipëri ka dëshmuar qartë se çdo betejë mes pushtetit dhe medias është fituar nga kjo e fundit. Liria e fjalës dhe informimit ka triumfuar pavarësisht presioneve të çdo lloji dhe përpjekjeve apo kërcënimeve të pushtetit për të mbytur të vërtetën që publikohet nga media. Shqipëria është sot delja e zezë e Europës për lirinë e fjalës dhe të shtypit. Raportet e organizatave ndërkombëtare e rendisin vendin tonë të fundit për lirinë e medias. Mediat janë paditur, gjobitur dhe diskriminuar financiarisht. Gazetarët janë burgosur, dhunuar dhe penguar në ushtrimin e profesionit. Mediat janë bllokuar apo mbyllur me urdhër të kryeministrit. Ndërsa shumë gazetarë janë sulmuar në mënyrë të organizuar nga makineria e propagandës qeveritare”, tha ai.
Një debat i vitit që lamë pas ishte ai i paketës antishpifje. Qeveria hartoi një ligj që ndëshkon me gjoba portalet, por që u kthye nga presidenti dhe u kritikua nga Venecia. Basha ka premtuar se kur të vijë në pushte ky ligj do të anulohet nëse gjen rrugën e miratimit.
“Angazhimi i parë im i parë në funksion të lirisë së fjalës së lirë pas 25 prillit do të jetë anullimi i ligjit të censurës që qeveria në ikje ka përgatitur dhe do ta miratojë pavarësisht kundërshtive të gazetarëve dhe organizatave ndërkombëtare për lirinë e shtypit. Qeverisja e re e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit do të punojë ngushtë me gazetarët dhe organizatat për lirinë e medias në për të miratuar statusin e gazetarit në bazë të të cilit funksionon sot profesioni i gazetarit në vendet e BE dhe që përcakton qartë rregullat që nga paga minimale dhe mekanizmat mbrojtës nga çdo lloj presioni”, tha ai.
Basha premtoi standarde europiane për lirinë e medias. “Ne do të punojmë fort që renditja e turpit në raportet ndërkombëtare për lirinë e shtypit në Shqipëri të ndryshojë dhe media shqiptare të renditet aty ku e meriton. Le të jetë ky 30 vjetor, hapi i parë e ndryshimit të madh që do të garantojë standardin europian dhe do t’i japë frymëmarrjen dhe hapësirën e duhur medias dhe gazetarëve”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post