Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka risjellë në vëmendje debatin mbi zgjerimin e Greqisë me 12 milje në detin Jon.
Bushati thotë se mes dy vendeve kanë dështuar negociatat, duke bërë që çështja të shkojë në gjykatën e Hagës. Lidhur me këtë vendim, ish-ministri shton se nuk do të jetë gjykata ajo që do të ‘masë’ detin, por duhet të jenë sërish dy vendet që të bien dakord për një dokument të përbashkët.
“Nga leximi im lidhur me takimet e fundit, fakti që çështja shkon në gjykatën e Hagës do të thotë se nuk është gjetur zgjidhje mes tyre.
Nuk kemi të bëjmë me transferim të përgjegjësive. Gjykata do japë vendimin përfundimtar, por nuk do “masë” detin. Vendet duhet të bien dakord për një dokument të përbashkët, si p.sh për shellfin kontinental. Gjykata do ketë kriter të ftohte bazuar te precedentët e ngjashëm”, tha Bushati për News24.
I pyetur nëse Greqia ka të drejtë të zgjerohet me 12 milje, Bushati thotë se “Në marrëveshjen e 2009 i njeh Greqisë parimin e 12 miljeve. Është tejkalim që ka bërë shteti shqiptar në raport me të drejtën ndërkombëtare.
Nuk është parim që negociohet, por ta njeh konventa mbi të drejtën e detit. Gjithmonë bëhet problematik për shtet që kanë fqinje në anë, jo përballë.
As Shqipëria nuk aplikon dot ndaj Greqisë. Thelbi i parimit është baraslargësia”, tha ish-ministri i Jashtëm.
Diskutime rreth kësaj post