Lionel Mesi po kalon një prej momenteve më të vështira në karrierë, pasi prej të paktën 5 muajsh ndodhet në qendër të medias për tentimin e tij për t’i ikur Barcelonës si pasojë e një përplasjeje me ish-presidentin Bartomeu.
Mesi e tronditi Katalonjën dhe tifozët e tij tek Barça kur e dorëzoi një kërkesë zyrtare për t’u larguar nga klubi, pak pasi Barcelona u turpëruar duke humbur 8:2 nga Bajerni i Mynihut në çerekfinale të Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar. Mançester Siti, Inter dhe Paris San Zhermen përmendën si klubet ku ai mund të luante nga sezoni i ri, pasi Mesi vetë e shprehu dëshirën për t’u larguar nga “Camp Nou” përmes aktivizimit të një klauzole lirimi në marrëveshjen e vet me klubin.
Por largimi i tij u ndalua menjëherë nga Barcelona dhe nga zyrtarët e La Ligës. Përfundimisht, 33-vjeçari vendosi të qëndrojë në “Camp Nou” në mënyrë që ta shmangte çfarëdo beteje me klubin e zemrës në gjykatë, duke thënë se kurrë nuk do të ndërmerrte veprime ligjore ndaj Barçës. Por Mesi dhe Barcelona nuk e nisën sezonin në mënyrë më të mirë dhe argjentinasi i ka shënuar vetëm gjashtë gola deri tani në La Liga, që është pak për standardin e tij. Mesi e pranoi në një intervistë për “La Sexta” të hënën se ajo çfarë kishte ndodhur vitin e kaluar dhe në verë ndikoi në paraqitjet e tij këtë sezon. “E vërteta është se sot jam mirë. Është e vërtet se kam pasur një kohë shumë të keqe në verë”, tha Mesi për “La Sexta”.
“E gjitha për shkak të asaj çka kishte ndodhur më herët. Për shkak të asaj çfarë ndodhi para verës, për shkak të mënyrës se si mbaroi sezoni, “burofaxi” dhe të gjitha… kjo vazhdoi edhe në fillim të këtij sezoni”, shtoi ai.“Por sot jam mirë dhe ndiej dëshirë për të luftuar seriozisht për gjithçka që kemi përpara. Unë e di se klubi po kalon nëpër një periudhë të vështirë, në nivel klubi dhe nivel ekipi, por unë mezi pres”, nënvizoi ai. Ndërkohë, një bashkim i Mesit me Nejmar në sezonin e ardhshëm është plotësisht i mundshëm, në mos tek PSG-ja kjo do të ndodhë tek Barcelona. Kështu beson një nga kandidatët për president të klubit katalanas.
Në fakt, bëri shumë bujë deklarata e Nejmar para disa ditëve ku theksoi se dëshiron që sezonin e ardhshëm të luaj me Lionel Mesi. Deklaratë që hap shumë skenarë në merkato dhe opsioni më i mundshëm është ai i transferimit të argjentinasit në Francë. Megjithatë, kandidati për president te Barcelona, Xhordi Farre, këmbëngul se ka konfirmimin e Mesit për të qëndruar dhe shton se ai do të luajë së bashku me Nejmar për katalanasit në sezonin e ardhshëm. “Nejmar është i mirëseardhur.
Por, së pari duhet të heqë dorë nga kërkesat financiare që ka bërë, të kërkojë falje, të gjithë gabojmë. Kemi folur me agjentin e tij dhe na ka folur për “rikthimin në shtëpi”. Kush nuk e do lojtarin e tretë më të mirë në botë, në ekipin e tij? Mesi dhe Nejmar do të luajnë bashkë sezonin tjetër te Barcelona. Unë jam i sigurt se Mesi nuk do të largohet. Kam folur me agjentin e tij dhe më tha se nuk ka avancuar asgjë, më ka thënë se do të qëndrojë por do një projekt fitues”, u shpreh Farre.
Diskutime rreth kësaj post