Bledi Çuçi do të jetë pasuesi i Sandër Lleshajt në postin e Ministrit të Brendshëm në Shqipëri. Lajmin e ka dhënë vetë Kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter. Postin e Çuçit, si ministër Bujqësie do ta marrë Milva Ikonomi. Emrat i janë dërguar Presidentit Ilir Meta për dekretim. Gjashtë ditë iu deshën kreut të qeverisë për lëvizjet në kabinet.
“Sot do të dërgoj për dekretim nga Presidenti, Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm dhe Milva Ikonomin si ministre Bujqësie; dy bashkëpunëtorë të përkushtuar në çdo detyrë që kanë kryer këto vite, me integritet, profesionalizëm dhe kulturë qytetare e politike të padyshimtë” – shkruan Edi Rama.
Bledi Çuçi nuk ka pasur eksperiencë të mëparshme në këtë fushë, por ka drejtuar më herët ministrinë e çështjeve vendore si dhe ka udhëhequr reformën territoriale dhe atë elektorale, cfarë e afron me sfidën më të parë të ministrisë, menaxhimin e periudhës zgjedhore.
Çuçi ka marrë më herët një dekretim nga Ilir Meta si ministër duke i hequr kryeministrit një telash më pak në raport me presidentin. Po ashtu Bledi Cuci është një individ i ardhur nga strukturat e Partisë Socialiste, si drejtues politik dhe deputet i qarkut Gjirokastër, duke përmbushur kështu një pritshmëri të partisë nga Rama, të cilit herë pas here i nënvizohet si dobësi eksperimentimi me ministra teknikë./db
Diskutime rreth kësaj post