Disa mijëra mbështetës të Donald Trumpit dolën në rrugët e kryeqytetit të vendit të shtunën për të mbështetur përpjekjet e tij të dështuara për të përmbysur rezultatin në zgjedhjet presidenciale që ai humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden.
Mbështetësit në rrugët e Uashingtonit brohoritën ndërsa Presidenti Trump fluturoi me helikopterin e marinës përgjatë rrugës për në ndeshjen e futbollit në Uest Point në Nju Jork.
Trump shkroi në Twitter “Uau! Mijëra njerëz po grumbullohen në Uashington D.C. për tubimin Ndalni Vjedhjen. Nuk kisha dijeni për këtë, por do t’i përshëndes! #MAGA. ”
Tubimet kanë për qëllim të tregojnë mbështetje për presidentin dy ditë para se Kolegji Zgjedhor të takohet për të zgjedhur zyrtarisht Bidenin si presidentin e 46-të të vendit.
Përveç Uashingtonit, aktivitete janë planifikuar dhe në kryeqytetet e Xhorxhias, Pensilvanisë, Miçiganit, Uiskonsinit, Nevadës dhe Arizonës – të gjitha shtete ku zyrtarët e fushatës së presidentit Trump kanë sfiduar numërimin e votave.
Gjykata e Lartë amerikane hodhi poshtë të premten një padi gjyqësore të ngritur nga shteti i Teksasit për të shpallur të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në katër shtete ku presidenti Trump humbi ndaj zotit Biden, duke i dhënë fund përpjekjes së Trumpit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve përmes gjykatave. Më shumë se 50 vendime të gjykatave federale dhe shtetërore kanë mbështetur fitoren e zotit Biden mbi Presidentin Trump.
Tubimi në Uashington me moton “Ndaloni Vjedhjen” u drejtua nga ish këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn i falur kohët e fundit nga presidenti Trump. Organizatorët dhe grupe kishtare u bënë thirrje mbështetësve të marrin pjesë në ato që ata po i quajnë “Marshimet e Xherikos” (Jerico Marches) dhe tubimet e lutjeve.
Protesta në Uashington përfshiu marshime rreth ndërtesës së Kongresit, Gjykatës së Lartë dhe Departamentit të Drejtësisë “me lutje që të shemben muret e korrupsionit dhe mashtrimit të zgjedhjeve”, thuhej në faqen elektronike StopTheSteal.com. Planet i referohen të ashtuquajturës mrekullia biblike në betejën e Xherikos (Jericho) – ku muret e qytetit u shembën pasi priftërinjtë dhe ushtarët parakaluan rreth tij.
Një postim të premten në Twitter nga një llogari që e quan veten “Marshimi i MAGA Një Milionë” thotë: NESËR NË WASHINGTON D.C. -Miting masiv – Duhet të qëndrojmë përkrah PRESIDENTIT TANI! ”
“MAGA” është shkurtimi i slloganit të Trumpit “Ta bëjmë Amerikën përsëri të Madhe”. Përplasjet mes mbështetësve të Trumpit dhe kundërshtarëve të tij në Uashington muajin e kaluar çuan në përleshje, goditje me thikë dhe arrestime të shumta.
Diskutime rreth kësaj post