Në Shqipëri vitin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe ashtu si partitë e mëdha, edhe të vegjlit pritet të gjejnë rrugën për të garuar në përballjen elektorale të 25 prillit. Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo tha se e ka nisur organizimin për zgjedhjet, por nuk e ka marrë ende vendimin se më kë do të bëjë koalicion.
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha se Shqipëria duhet të ishte pjesë e BE-së që në vitin 2004, dhe këtë zvarritje dhe humbje kohe ia faturon partive kryesore, PS-së dhe PD-së.
“Jemi shumë larg, jemi aq larg sa në mendjet e evropianëve ne nuk konsiderohemi si vend serioz. Ne jemi në prapavijën e Evropës dhe unë kamë frikë se ne do të jemi për një kohë relativisht për një kohë ta gjatë atje, sepse ne me duart tona ia kemi bërë të keqen vete tonë, dhe kur flas me duart tona, kam parasysh të gjithë klasën politike që është alternuar nga 1991 deri sot, dhe të gjithë kanë përgjegjësi për këtë dhe këtë e them si ish-ministër i Jashtëm dhe njeriut që është marrë me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe Shqipëri duhet të ishte anëtarësuar në 2004 së bashku me grupin vendeve që u anëtarësuan. Shqipëria ka humbur 16 vjet që duhet të ishte në BE, ka humbur 14 vjet. Shqiptarët pse duan të besojnë partitë që e kanë qeverisur Shqipërinë”, tha Paskal Milo.
Në fund kreu i PDS-së tha se fushata elektorale e 2021 pritet të jetë e ashpër dhe tepër e egër.
“Shumë e ashpër, shumë e egër. Shqiptarët nuk do t’i durojnë, do të jenë në shumicë indiferentë, me përjashtim të grupeve militante partiake. Shqiptarët janë të interesuar të dinë se kush do qeveris pas 25 prillit, dhe vota e shqiptarëve nuk ka qenë votë për alternative, por më shumë ka qene votë pakënaqësie ndaj qeverisjes”, shtoi Milo.
Diskutime rreth kësaj post