Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani thotë se pavarësisht se ndërkombëtarë po kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të bëhet funksionale me 6 anëtarë, kjo nuk do të jetë një zgjidhje për funksionimin e saj në të vërtetë.
Manjani shpjegoi se, Kushtetuesja përbëhet nga 9 anëtarë, ku tre prej tyre i zgjedh Presidenti, tre i zgjedh Kuvendi dhe tre të tjerë i zgjedh Gjykata e Lartë.
“Gjykata Kushtetuese merr vendime vetëm kur 5 anëtarë vendosin pro ose kundër një kërkese. Pra për të pasur një vendim duhet të kemi të paktën 5 anëtarë që votojnë në favor të një alternative”, tha ish-ministri i Drejtësisë duke shtuar se me 6 anëtarë vendimmarrjet bëhen shumë të vështira.
Seancat gjyqësore bëhen në prani të të gjithë gjyqtarëve, por minimumi duhet të jenë 6 gjyqtarë prezentë dhe asnjë anëtarë që ka marrë pjesë në gjykim nuk lejohet të abstenojë.
Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vetëm 4 anëtarë në detyrë, Presidenti dhe Kuvendi kanë për të përzgjedhur dhe nga 1 anëtar tjetër kurse Gjykata e Lartë ende nuk është plotësuar për të nisur procedurat e emërimit të tre anëtarëve që i takojnë asaj.
“Teorikisht me 6 anëtarë bëhet një shumicë për të bërë seanca gjyqësore. Por të mos harrojmë, numri 6 është si minimum dhe si rast i jashtëzakonshëm gjykimi në Gjykatën Kushtetuese. Praktikisht bërja e numrit 5 për të marrë vendim, pozitiv apo negativ, komprometohet rëndë”, tha Manjani për Ilva Now.
Diskutime rreth kësaj post