Partia e presidentit Nicolas Maduro dhe aleatët e tij i fituan zgjedhjet parlamentare në Venezuelë, tregojnë rezultatet e pjesshme.
Zgjedhjet, që u mbajtën të dielën, u bojkotuan nga partitë kryesore opozitare, një praktikë që të kujton Shqipërinë, edhe pse në rrethana krejt të ndryshme. Me mbi 80 për qind të votave të numëruara, Këshilli Kombëtar Zgjedhor tha se koalicioni i Maduros ka fituar 67.6 për qind të tyre.
Bojkotimi i zgjedhjeve është udhëhequr nga lideri i opozitës, Juan Guaido, i cili, tash e dy vjet, është në luftë për pushtet me Maduron.
Shtetet e Bashkuara dhe mbi 50 vende të tjera e njohin Guaidon si udhëheqës legjitim të Venezuelës. Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cilësoi zgjedhjet e së dielës si “mashtrim”.
“Rezultatet e shpallura nga regjimi i paligjshëm i Maduros nuk do të pasqyrojnë vullnetin e popullit të Venezuelës”, shkroi Pompeo në Twitter.
Pasi votoi të dielën, Maduro tha se zgjedhjet do të shënojnë fillimin e një epoke të rimëkëmbjes për Venezuelën.
Nën qeverisjen e Maduros, ekonomia është dobësuar dhe mungesat e ushqimeve dhe ilaçeve janë rritur.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), aktualisht janë rreth 4.5 milionë refugjatë dhe migrantë nga Venezuela në të gjithë botën.
Diskutime rreth kësaj post